De Marnhac edhe katër muaj në krye të EULEX-it
Prishtinë, 11 tetor - Pavarësisht pse kontrata e rregullt e punës i skadon të dielën, shefi i misionit EULEX, Xavier Bout De Marnhac do të vazhdojë të udhëheqë misionin e BE-së në Kosovë dhe sipas të gjitha gjasave ai do të qëndrojë deri në fund të janarit të vitit 2013.
Bashkimi Evropian ende nuk ka përfunduar procedurat për përzgjedhjen e njeriut të ri që do të udhëheqë misionin, andaj edhe ka rekomanduar që ish-komandantit të KFOR-it ti vazhdohet kontrata edhe për katër muaj.
Rekomandimin për zgjatjen e mandatit në një afat katërmujor e ka paraqitur Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Catherine Ashton, ndonëse ende vendimi final nuk është marrë nga institucionet në Bruksel.
Në mënyrë që të sigurohet një transfer i vazhdueshëm dhe i rrjedhshëm, përfaqësuesja e lartë Ashton ka rekomanduar vazhdimin e mandatit të shefit të Misionit deri në fund të janarit të vitit 2013, ka thënë zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Kocijançiç. Ajo ka shtuar se procedurat e nisura për zgjedhjen e njeriut të ri që do të udhëheqë misionin pas largimit të francezit Marnhac janë duke vazhduar.
Xavier Bout de Marnhac para se të udhëheqë misionin ka qenë kryesues i forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë sikurse që ka qenë edhe Yves de Kermabon.