25 Dhjetor 2024

DASH publikon raportin për luftën anti-terrorizëm

Uashington, 19 gusht - Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, i publikuar më 18 gusht, vë në pah trendet e terrorizmit në vitin 2010. Raporti përfshin po ashtu një aneks statistikor, të përgatitur nga Qendra Kombëtare Kundër Terrorizmit.


Statistikat flasin për 11,500 sulme terroriste, që kanë ndodhur në 72 vende gjatë 2010-ës e që kanë rezultuar me mbi 13,200 vdekje.

Ndonëse numri i sulmeve është rritur për pothuajse 5 për qind nga viti paraprak, numri i viktimave ka rënë për të tretin vit radhazi, përkatësisht për 12 për qind nga 2009-ta. Për të dytin vit me radhë, numri më i madh i sulmeve ka ndodhur në Azinë Jugore dhe në Lindjen e Afërt. Në këto rajone kanë zënë vend mbi 75 për qind të sulmeve në botë.


PJESA PËR KOSOVËN
 
Përmbledhje

Në raport thuhet se Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në çështjet që kanë të bëjnë me terrorizmin. Ajo ka shënuar përparim në miratimin e legjislacionit për të luftuar terrorizmin, përfshirë Strategjinë e Sigurisë së Kosovës, Ligjin për Tregtinë e Mallrave Strategjike dhe Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Kapaciteti i qeverisë për të zbatuar legjislacionin që lidhet me sigurinë, megjithatë, mbetet shqetësim.

Njësia e Policisë së Kosovës Kundër Terrorizmit është ende në zhvillim të kapacitetit të saj për të kryer operacione të suksesshme kundër terrorizmit.

Raporti thekson nevojën e zhvillimit të bashkëpunimit dhe koordinimit efektiv ndërmjet departamenteve brenda Policisë së Kosovës.


Legjislacioni dhe zbatimi i ligjit

Kosova ka shënuar përparim në miratimin e legjislacionit kundër terrorizmit. Strategjia e Sigurisë së Kosovës është miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 23 shtator.

Ajo thekson përgjegjësitë e Policisë së Kosovës, të Doganave të Kosovës, të Policisë Kufitare të Kosovës dhe të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës për të koordinuar përpjekjet e tyre kundër terrorizmit dhe për të siguruar se “Kosova nuk do të bëhet strehë e individëve apo grupeve, që synojnë të nxisin ekstremizmin e dhunshëm dhe të trajnojnë apo pajisin terroristët potencialë”.

Departamenti Kundër Terrorizmit i Policisë së Kosovës ishte kryesisht përgjegjës për përpjekjet e Kosovës kundër terrorizmit. Kapaciteti i tij për të kryer operacione të suksesshme mbetet në zhvillim e sipër.

Ky departament përfshin 27 oficerë dhe vazhdon të trajnojë dhe zhvillojë kapacitetet e zyrtarëve të tij. Trajnimi zhvillohet në bazë të programeve të financuara nga Shtetet e Bashkuara, OSBE-ja, partnerët evropianë – veçanërisht Turqia – në fushat që përfshijnë mbikëqyrjen, marrjen në pyetje, hetimin, inteligjencën kundër terrorizmit dhe analizat.

Përpjekjet operative të Departamentit Kundër Terrorizmit në Kosovë thuhet të jenë penguar nga mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet departamenteve.


Lufta kundër financimit të terrorizmit

Më 30 shtator, me ndihmën teknike të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Kosova ka miratuar Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe të Financimit të Terrorizmit.

Ligji detyron Task Forcën e Veprimit Financiar të raportojë obligimet, përfshirë edhe raportimin e transaksioneve të dyshimta dhe të strukturuara.

I njëjti ligj gjithashtu ka krijuar një Njësi të pavarur të Inteligjencës Financiare, e cila duhet të raportojë çdo transaksion mbi 10 mijë euro, transaksionet e dyshimta dhe transaksionet e strukturuara.

Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar

Marrë parasysh kufizimet që paraqet gjendja e saj financiare, Qeveria e Kosovës ka zgjeruar përpjekjet e saj për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë, për të adresuar rrjedhën e individëve që, në mënyrë të paligjshme, kalojnë transit nëpër Kosovë, dhe për të identifikuar kërcënimet e mundshme, si nga brenda, ashtu dhe nga jashtë.

Policia Kufitare e Kosovës mban takime të rregullta mujore me homologet e saj nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi.

Policia e Kosovës ndjek edhe një nismë të operacioneve kufitare, e cila përfshin bashkëpunimin dhe komunikimin ndërkufitar, shkëmbimin e inteligjencës dhe operacione të përbashkëta me policinë kufitare të tri vendeve të lartpërmendura.

Policia e Kosovës ka punuar edhe me qeveritë e Bullgarisë dhe Turqisë në lidhje me çështjet kufitare.

Raporti thekson se Qeveria e Kosovës, gjatë vitit, ka bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për të ekstraduar një shtetas të Kosovës në SHBA, për t’u përballur me ndjekje penale në lidhje me akuzat për terrorizëm.

Zyra e Prokurorit të Shtetit dhe Zyra e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës kanë paraqitur kërkesën e Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e të arratisurit, por një panel i Gjykatës Supreme të Kosovës, i përbërë nga dy gjykatës të misionit evropian për sundimin e ligjit dhe një gjykatës i Gjykatës Supreme të Kosovës, ka refuzuar kërkesën e ekstradimit. Rel

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)