Cliff konfirmon vazhdimin e mbështetjes së Britanisë për FSK-në
Prishtinë, 15 korrik - Sot, ministri i FSK-së Agim Çeku e ka prit në një takim pune, ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, me të cilën kanë biseduar për arritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së.
Për këtë, ministri Agim Çeku fillimisht e ka falënderuar Britaninë e Madhe për ndihmën e pakursyer që kanë dhënë dhe po japin për shkollimin, për trajnimet e pjesëtarëve të FSK-së, si dhe për ndihmën profesionale, përmes, këshilltarëve të Britanisë, për FSK-së.
Ambasadori i Britanisë së Madhe Ian Cliff, me këtë rast, e ka përgëzuar ministrin, komandantin si dhe të gjithë oficerët e FSK-së, për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së, të deklaruar kohë më parë nga NATO.
Ministri Agim Çeku, gjatë konferencës me gazetarë ka falënderuar të gjithë ushtarët, nënoficerët, oficerët e FSK-së, KFOR-in, NATO-n, për angazhimin e tyre në përmbushjen e kapaciteteve të plota operacionale si dhe për kryerjen e detyrave sipas standardeve më të larta të përcaktuara nga NATO.
Ministri Çeku ka njoftuar, gjithashtu, se Britania e Madhe do të jetë e angazhuar të ndihmoj FSK-në edhe pas njohjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale.
Pas takimit ministri Çeku dhe ambasadori Cliff dhanë deklaratë për media dhe u përgjigjen në pyetjet e gazetarëve.