Cilësia në arsim, rol kyç në parandalim e ekstremizmit të dhunshëm
Prishtinë, 22 qershor - Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në bashkëpunim me Institutin për ndërtim të paqes dhe të drejtave të njeriut në Universitetin e Kolumbias, ka mbajtur sot konferencën mbi rolin e edukimit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Në këtë konferencë pikëpamjet e tyre rreth rolit të edukimit në luftim dhe parandalim të ekstremizmit i kanë dhënë profesori David L. Phillips nga Universiteti i Kolumbias, Dr. Dukagjin Pupovci nga Qendra Kosovare për Arsim, Arben Çekaj nga Qendra Shqiptare për Qeverisje të mirë si dhe Florian Qehaja, drejtor ekzekutiv i QKSS.
Ky aktivitet është mbajtur me qëllim të këmbimit të mendimeve me njohësve të arsimit, politik-bërësve dhe pjesëtarëve nga shoqëria civile rreth rolit të arsimit në parandalim dhe luftim të ekstremizmit të dhunshëm si dhe hapat që mund të ndërmerren në këtë drejtim.
Me këtë rast, drejtori ekzekutiv i QKSS, Florian Qehaja ka thënë se aspekti i sigurisë është vetëm njëri nga elementet në funksion të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm. Roli i edukimit sipas tij, është edhe një prej fushave që QKSS ka identifikuar dhe që mund të paraqet problem në rritjen e ekstremizmit të dhunshëm për arsye se arsimi në Kosovë ende ka mungesë të cilësisë dhe nuk nxit mendimin kritik dhe debatin në klasa, gjë që ka ndikuar që disa imamë të radikalizuar të behën më atraktiv se sa mësuesit për një grup të të rinjve. Duke punuar aktivisht në funksion të ngritjes së cilësisë ne ndikojmë në parandalim të ekstremizmit të dhunshëm, ka thënë Qehaja.
Profesori David Phillips nga Universiteti i Kolumbias i cili iu është bashkëngjitur konferencës enkas nga Neë York, ka theksuar me këtë rast se edukimi ka një rol jetik por nuk mund të jetë shkaktari i vetëm që ndikon në radikalizim e të rinjve. Sipas tij ndër arsyet pse të rinjtë gjejnë prehje në religjion dhe grupe radikale është fakti se ndjejnë se nuk ju ofrohen mundësitë e nevojshme për jetën e tyre. Sipas tij, kjo mungesë e mundësive në Kosovë shkaktohet edhe nga një varg faktorësh si social e ekonomik, por edhe për faktin se Kosova akoma nuk është njohur nga e gjithë bashkësia ndërkombëtarë, si shtet sovran dhe i pavarur.
Është e rëndësishme që Kosova të jetë e integruar në tërësi në institucionet Evropiane. E shoh si të tmerrshme që ka akoma shtete të BE-së që nuk e njohin Kosovën. Integrimi i saj duhet të kompletohet dhe është në dorë të BE-së që të liberalizojë edhe vizat.
Andaj veprimi në këtë drejtim është e paketa që BE mund të bëjë, ka thënë Phillips. Sipas tij, Edukimi është kundërhelm ndaj ekstremizmit. Ne duam të promovojmë mendimin kritik dhe shkathtësi për të zgjedhur probleme në atë mënyrë që të rinjtë të kenë aftësinë që të ndajnë të drejtën nga e gabuara. Ne po ashtu e shohim nevojën e edukimit qytetar që vepron krahas përgjegjësisë qytetare. Ne e shohim se ka nevojë edhe për një vlerësim gjithëpërfshirës nacional mbi sektorin e arsimit në Kosovë, duke shikuar lehtësirat, mësuesit, kurrikulat dhe materialet mësimore. Ne po ashtu e dimë se ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë është bërë temë e popullarizuar kështu që ne rekomandojmë që të hartohet një planifikim i mirëfilltë mbi iniciativat ekzistuese të edukimit dhe përdorimi i atij planifikimi duhet të jetë në atë mënyrë që të përdor praktikat më të mira të edukimit, ka thënë ai.
Phillips gjatë prezantimit të tij ka komentuar edhe artikullin e New York Times që e quan Kosovën një tokë të pëlleshme të SIS duke e quajtur artikullin të ekzagjeruar dhe jo real në raport me Kosovën. Për më tepër, Phillips tha se reflektimet në artikull përkojnë me agjendën serbe kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj.
Më tepër rreth gjendjes së arsimit në Kosovë por edhe hapat që mund të ndermirën në sistemin arsimore në Kosovë duke përfshire programe për parandalim të ekstremizmit ka folur edhe drejtori i Qendrës Kosovare për Arsim, Dukagjin Pupovci. Ai ka theksuar një varg të metash të sistemit arsimor në Kosovë që sipas tij ka pësuar reforma vetëm në aspekt infrastrukturor por jo edhe në tri nivelet e nevojshme atë të: burimeve, proceseve edhe strukturave.
E para, duhet të kemi mësimdhënës të aftë që të i tejkalojnë paragjykimet e veta, sepse shpesh herë mësimdhënësit tanë nuk janë në gjendje të menaxhojnë me ato dhe kur hapen tema të ndjeshme në klasë në vend se të debatojnë për këto çështje, ikin nga to. Kjo krijon tek fëmijët dilema dhe ndikon që fëmijët të kërkojnë diku tjetër debat për ato dilemat e tyre, ka thënë Pupovci. Kurrikulat dhe tekstet shkollore, sipas tij, duhet të promovojnë tolerancën dhe qasjen e shumëfishtë. Derisa ka theksuar nevojën që nëpër shkolla, respektivisht në klasa të nxitet mendimi kritik dhe debati në mënyrë që të ngritën shkathtësitë e të rinjve për të ndarë të drejtën për të gabuarës dhe për zgjidhjen e problemeve.
Si probleme Pupovci ka përmendur po ashtu faktin e mos përfshirjes së një përqindje të madhe të fëmijëve në edukimin parashkollor që është baza kryesore e zhvillimit të hershëm të fëmijës, mos-përfshirjes së duhur të fëmijëve të grupeve të margjinalizuara në arsim të obligueshëm dhe në nivel të mesëm si dhe mungesa e cilësisë në arsim.
Aftësimi në shkolla sipas Pupovcit duhet të përkojë domosdo me nevojat e tregut të punës në të kundërtën do të bëhet gjeneratorë i papunësisë.
Arben Çejku nga Qendrës Shqiptare për Qeverisje të mirë ndërkaq ka thënë se Shqipëria nuk është duke bërë hapa konkret për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm përmes edukimit. Megjithatë ai ka thënë se prej vitit 2015 asnjë qytetar nga Shqipëria nuk është raportuar tju jetë bashkuar luftërave në Siri dhe Irak përkrah organizuarave ekstremiste.
Duke parë shkollën si qendër komunitare, Shqipëria tenton që ta kthejë atë si një mekanizëm lehtësues dhe ndihmues për deradikalizimin e shoqërisë dhe Shqipëria në fakt e ka edhe një ambicie për të krijuar një qendër rajonale të edukimit edhe në kuadër të NATO-s, ka treguar ai.
Çejku ka folur edhe për përfshirjen e edukimit fetar në kurrikulat e arsimit në Shqipëri për çka akoma ka një debat të gjerë në Shqipëri, por se ka shpreh bindjen e tij që shtator të këtij viti do të ketë vendimi konkret nga Qeveria atje në lidhje me këtë çështje.
Ndryshe në konferencën e sotme kanë marrë pjesë edhe një var personalitetesh nga Ministria e Arsimit, Prokuroria e shtetit, dhe një varg organizatash ndërkombëtare dhe vendore të cilët kanë kontribuar në debat me këmbim të mendimeve rreth rolit të edukimit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Ky aktivitet i QKSS është organizuar ndërkaq në vazhdën e aktiviteteve dhe përpjekjeve në rritje të QKSS në bashkëpunim me partnerët e tjerë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Ekipi i QKSS falënderon të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë mediat, në konferencën e sotme.