09 Maj 2024

Certifikohen 30 rekrutë të FSK-së nga radhët e komuniteteve

Prishtinë, 23 gusht - Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes(KDS) të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Ferizaj,  u mbajt ceremonia e certifikimit të rekrutëve të gjeneratës së parë, për këtë vit, të Kursit Bazik, për rekrutët aktivë, nga radhët e komuniteteve.

Kursi Bazik ka zgjatë 9 javë dhe është realizuar në bazë tri moduleve me 20 lëndë mësimore, nga instruktorët e Qendrës së Stërvitjes Bazike të KDS-së. Në mesin e tyre 26 pjesëtarë janë nga komuniteti serb, 2 të atij boshnjak, një turk dhe një ashkali.

Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë: Ministri i FSK-së Agim Çeku, zëvendësministrat: Muhamet Latifi, Bejtush Gashi dhe Sllavisha Filipoviq, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, zëvendës ambasadorja e SHBA-ve, zonja Kelly Degnan, atasheu ushtarak i SHBA-ve, koloneli James Kott, ambasadori i Britanisë së Madhe Ian Kliff, gjenerali i KFOR-it, gjeneralbrigade Salvatore Carta, atashe ushtarak të kredituar në Kosovë, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të FSK-së, KFOR-it, të NAT-it, familjarë dhe të afërm të pjesëtarëve të rekrutëve, etj.

Pas fjalës së hapjes së ceremonisë, të pranishmit i pari i përshëndeti komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, i cili tha se kjo është një ditë e veçantë për të gjithë, pasi që  diplomimi edhe i 30 rekrutëve të rinj të FSK-së, shënon edhe një hap drejt zhvillimit të FSK-së.

"Por, ajo çka e bënë këtë ditë më të veçantë, është fakti që të sapodiplomuarit  janë nga radhët e komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë”.

Me këtë rast, duke iu drejtuar rekrutëve, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, u shpreh se Komandantët dhe instruktorët, më kanë treguar se gjatë trajnimit; jeni angazhuar maksimalisht dhe kjo dëshmon për motivin e juaj, për të studiuar, me çka keni arritur rezultate të shkëlqyeshme gjatë procesit të trajnimit.

"Gjatë stërvitjes bazike, ju keni treguar shpirtin e juaj fitues dhe dëshirën për t’u dalluar.  Ju keni demonstruar: kreativitetin, motivimin dhe këmbënguljen për të kryer çdo detyrë apo punë që ju është besuar."

"Për më shumë, ju keni mësuar ta ndihmoni dhe përkrahni njëri-tjetrin. Ju keni mësuar që si individ ka kufizime në shkathtësitë e juaja, por se çdo gjë është e mundur, kur punoni në grupe. Këto cilësi do të jenë thelbësore kur shërbeni në Forcën e Sigurisë së Kosovës."

"Gjatë trajnimit bazik ju keni mësuar për kreativitetin, vetëbesimin dhe vetëdijesimin. Çfarë është më e rëndësishme,  ju keni mësuar më shumë për vetveten. Ju keni pasur mundësinë e testimit të personalitetit dhe karakterit tuaj. Keni pasur një mundësi unike për të identifikuar shkathtësitë dhe për të zhvilluar burimet tuaja të brendshme”. 

Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati, duke vlerësuar shkollimin e rekrutëve, si shumë me rëndësi, kërkoi angazhim për t’i çuar, njohuritë e marra, më lartë.

“Ky kurs i ka sfiduar mundësitë e juaja personale, por asnjëherë nuk jeni dorëzuar. Në vend të kësaj, ju e keni shtyrë veten në kufijtë e mundësive tuaja, madje edhe përtej tyre. Unë e di që për disa nga ju është dashtë një guxim i vërtet; guximi për ta zgjedhur rrugën e juaj dhe për ta realizuar ëndrrën tuaj, pa marrë parasysh se çfarë të tjerët mund të mendojnë. Prandaj, ju lus ta keni në mendje që unë e çmoj trimërinë dhe përkushtimin tuaj ndaj vendit. Detyra dhe përgjegjësia e jonë është t’i shërbejmë vendit tonë, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës është vendi i duhur për të filluar.

Të nderuar rekrutë, tani ju jeni shembull për pjesëtarë të ardhshëm të FSK-së. Shembulli i juaj personal dhe arritjet profesionale do të inkurajojnë të rinjtë dhe të rejat nga komuniteti i juaj, që t`i bashkohen FSK-së.

Komandanti i FSK-së, për këto arritje, ka falënderuar gjeneral Enver Cikaqin dhe instruktorët e  KDS-së,  për punën dhe angazhimin, gjatë këtij trajnimi. “Ju i keni mbështetur dhe inkurajuar rekrutët, ju e keni ngritur vetëbesimin e tyre dhe ua keni mësuar vlerat thelbësore për shërbim në FSK; detyrën dhe shërbimin vetëmohues, nderin  dhe dinjitetin, guximin dhe besnikërinë. Prandaj unë e çmoj gjithë punën dhe mundin tuaj”.

Në fund, gjeneral Kastrati falënderoi prindërit dhe familjarët e rekrutëve të cilët kanë meritat më të mëdha: “Secili prej këtyre rekrutëve është këtu, sepse dikush ju dha zemër i deshi dhe sakrifikoi për ta. Është dëshmi e dashurisë që ju u keni ofruar dhe vlera që keni rrënjosur në ta”.

Ndërsa, nga rekrutët kërkoi: “sot është fillimi i një kapitulli të ri në jetën tuaj, i ndryshëm nga çfarëdo tjetër që e keni provuar deri më tani. Sot, ju qëndroni të gatshëm për t’i shërbyer vendit tuaj dhe qytetarëve të saj. Nga sot, ju do të jeni pjesë e Forcës sonë, ku ne, do të zhvillohemi dhe përparojmë së bashku. Qëllimi ynë është që FSK-ja të bëhet forcë profesionale e dobishme dhe e aftë për ta mbështetur regjionin e Ballkanit dhe vendet tjera të botës dhe së bashku ne do ta arrijmë ketë. Edhe njëherë, Urime dhe gjitha të mirat të gjithë juve!”

Ministri i FSK-së Agim Çeku në fjalën e tij tha; “kjo është një ditë e veçantë për juve dhe për FSK-në, sepse ju e kryet trajnimin bazik dhe për FSK-në se ajo po fiton më shumë me pjesëmarrjen e juaj. Ju që nga sot, po bëheni më të vlefshëm jo vetëm për vete, për familjet e juaja, por edhe për vendin, për Kosovën por në veçanti edhe për komunitetin e juaj. Ju me vendimin për t’iu bashkuar FSK-së i ndryshuat shumë perceptime të gabuara i thyet disa barriera të vjetra dhe hapët rrugët që me bashkëvendësit të bëheni ushtarë të Kosovë. Unë, shtoi ministri Çeku, së bashku me të gjithë jam këtu për t’iu përgëzuar, për vendimin e drejt dhe të guximshëm që e keni marrë që të bëheni pjesë e rreshtit të gjatë dhe shumë etnik të FSK-së. Ministri për këtë rast falënderoi komandantët, instruktorët  të cilët me shumë kujdes dhe shumë profesionalizëm e udhëhoqën këtë trajnim bazik, dhe më ky është një sukses me të cilën krenohemi të gjithë.

Në fund, ministri Çeku përshëndeti prindërit e familjarëve, të afërmit dhe miqtë të cilët  i’u ofruan mbështetje djemve dhe  vajzave e tyre në marrjen e këtij vendimi kaq të rëndësishëm për Kosovën dhe FSK-në.  

Ministri i FSK-së Agim Çeku ushtarëve të rinj iu drejtua me këto fjalë: “Ju keni zgjedhur një profesion të veçantë, por një profesion shumë fisnik, dhe duhet ta dini që jeni të mirëpritur në FSK, në FSK ka shumë komunitete por FSK-ja ka një mision të njëjtë, detyrat janë të njëjta, kërkesat janë të njëjta ndaj të gjithëve dhe të gjithë janë të barabartë. Ju duhet të jeni ata çka jeni, por në radhë të parë duhet të jeni ushtarë të Kosovës, të jeni të bindur ndaj oficerëve të juaj, ndaj FSK-së, Njësitit tuaj, ndaj Kosovës”. 

Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës përshëndeti zëvendës ambasadorja zonja Kelly Degnan, e cila tha se dua ta përgëzojë këtë grup burrash dhe grash në mbarim të trajnimit themelor dhe hyrjen në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Ky ka qenë program i vështirë trajnimi, që ka testuar përkushtimin e juaj, qëndrueshmërinë dhe aftësitë në shumë mënyra dhe ju keni kaluar me sukses. Sot ne nderojmë fillimin e karrierës suaj në shërbim të bashkëqytetarëve tuaj."

"Ne e admirojmë shumë dhe e respektojmë zgjedhjet që ju keni bërë disa prej tyre shumë të vështira. Si pjesë e FSK-së, ju me të vërtet jeni pjesë e së ardhmes së Kosovës, si një shtet multi-etnik, demokratik. Populli i SHBA-ve ndanë përkushtim tuaj ndaj këtyre vlerave dhe ne jemi krenar që jemi miku juaj i besueshëm dhe partneri juaj i përkushtuar”.

Nëpërmjet shërbimit tuaj, shtoi zonja Degman “ju jeni një shembull i fortë i një të ardhme shpresëdhënëse për pjesëtarët e komuniteteve tuaja. Ju do të frymëzoni të tjerët për shërbyer me dinjitet dhe krenari. Dhe ju do të hapni rrugën për ata që ju ndjekin juve për të qenë të mirëpritur në FSK”.

Ndërtimi i një Force tha zëvendës ambasadorja e SHBA-ve, “që përfaqëson tërë Kosovën do të kërkojë një përpjekje të qëndrueshme.

Ministria e FSK-së ka bërë përparime të mëdha në shtrirjen e saj në komunitete të ndryshme të Kosovës, vetëm duke punuar së bashku do ta bëni FSK-në, një forcë që përfaqëson dhe është e mbështetur nga të gjithë qytetarët e Kosovës.

Për të përfunduar, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bashkohen kësaj krenarie dhe ju përgëzojë për përkushtimin tuaj ndaj komuniteteve, vendin tuaj dhe një të ardhme të sigurt për gjithë Kosovën.

Ndërsa, zëvendësministri i FSK-së, Sllavisha Filipoviç, fillimisht ka përshëndet të gjithë pjesëmarrësit në këtë ceremoni të rekrutëve si dhe familjarët e tyre, të cilët kanë përkrahë bijtë dhe bijat e tyre që me sukses ta kryejnë kursin bazik.

Rekrutët që nga dita e sotme do të jenë pjesëtarë të FSK-së dhe që nga sot, do t’i ndihmojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, për të shtuar, se: “ju, do t’i keni të gjitha rrugët e hapura drejt ngritjes profesionale. Dëshmi për këtë, fletë vetë fakti se tre nga rekrutët që keni treguar rezultate të shkëlqyeshme do t’i vazhdoni studimet në Akademinë Ushtarake në Shkup.

Regrutët më të mirë ishin: Daniell Jovanoviq dhe Almir Haliloviç, për rezultate të shkëlqyeshme dhe sjellje shembullore, gjatë kryerjes së Kursit Bazik.

Në fund, rekrutët e posa diplomuar, solemnisht dhanë betimin! 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)