Certifikohen 30 pjesëtarë të FSK-së për Operacione Paqësore
Prishtinë, 31 janar - Në ambientet e Brigadës për Mbëshetje Operacionale(BMO), të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), sot u bë certifikimi i 30 pjesëtarëve të FSK-së, të cilët kryen me sukses një trajnim për Operacione Paqësore, të mbajtur nga Ekipi i Instruktorëve të Qendrës për Trajnime të Republikës së Turqisë.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë: Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kasrtati, komandantit i BMO-së, gjeneral brigade Ilaz Derguti, zëvendës komandantit i KFOR-it, gjenerali Wessely, komandanti i NLAT-it, gjenerali Norbert Wagner dhe komandanti i kontigjenti Turk, Koloneli Topaloglu.
Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjeneral Kasatrati e falënderoi ekipin e instruktorëve të Turqisë, duke u shprehur mjaft i kënaqur me bashkëpunimin e mirëfilltë, ndërmjet FSK-së dhe Armatës së Turqisë.
Ai, tha se: Synimi i FSK-së është ngritja profesionale e kapaciteteve sipas standardeve të NATO-s, e në këtë drejtim një kontribut të madh po jep Ekipi i Forcave të Armatosura të Turqisë, permes trajnimeve të shumta, e që janë të një rëndësi të veçantë për FSK-në.
Ndërsa, në emër të Qendrës për Trajnime të Republikës së Turqisë, koloneli turk, Topaloglu premtoi se edhe në të ardhmen do ta ndihmojnë FSK-në. Ai përshëndeti të gjithë pjesëtarët e FSK-së, për interesimin dhe seriozitetin e tyre që treguan gjatë mbajtjes së këtij trajnimi, që është më rendësi për FSK-në.
Në fund, për arritjen e rezultateve dhe kryerjen me sukses të trajnimit për Operacione Paqësore të pjesëtarëve të FSK-së, u dhanë Certifikata.