Certifikohen 21 Përmbaruesit e parë privat në Kosovë
Prishtinë, 16 shtator - Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, sot u bë certifikimi i 21 Përmbaruesve të parë Privat në Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, tha se themelimi i institucionit të Noterisë, Ndërmjetësimit dhe Përmbaruesve Privat, është lehtësim për punën e gjyqësorit, por edhe lehtësim për qasjen e qytetarëve në drejtësinë e Kosovës.
Në mandatin tim si Ministër kam përfunduar punët me noterët, ndërmjetësuesit dhe përmbaruesit privat dhe këto punë janë që ti ndihmojnë sistemit të drejtësisë, tha Kuçi.
Ministri Kuçi tha se përmbaruesit e parë privat do ta ndërtojnë traditën e sistemit të përmbaruesve privat, duke shprehur besimin e tij se do të janë të suksesshëm.
Besimi në drejtësi është shumë me rëndësi për qytetarët e vendit tonë. Besimi në drejtësi nuk arrihet nëse qytetarët tanë presin gjatë për ta shqyrtuar apo ekzekutuar një lëndë, andaj e ftojë Këshillin Gjyqësorë të Kosovës që bashkërisht të rrisim besimin në drejtësi, shtoi Kuçi.
Kryetari i Komisionit të Përmbaruesve Privat, Iset Morina tha se Komisioni është munduar që me përkushtim të madh ta kryej detyrën që i është besuar në bazë të udhëzimit administrativ dhe vendimit të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë, duke shprehur besimin e tij që kanë realizuar një punë të suksesshme.
Drejtori i Programit për Përmbarim dhe legjislacion komercial, David Girth, pasi urojë përmbaruesit privat tha se për shtetet në tranzicion është shumë e rëndësishme qasja në drejtësi.
Në fund, Ministri Kuçi ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në të gjitha fazat deri të certifikimi i 21 përmbaruesve privat.