Çeku: Ushtria e Kosovës pas 15 qershorit
Prishtinë, 6 shkurt - Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku shpreson që në pranverë të këtij viti, NATO-ja të marrë vendimin për arritjen e kapaciteteve të plota të FSK-së, gjë që do ta pavarësonte forcën nga organizata veri-atlantike.
Ky pavarësim, pasi që NATO-ja të vendos edhe për nivelin e marrëdhënieve që do të ketë me FSK-në, do ti hap rrugë Qeverisë së Kosovës të bëjë rishikimin e FSK-së.
Rishikimi pritet të ngrit nivelin e FSK-së në ushtri të Republikës që ka shpallur pavarësinë para gati pesë vitesh.
Në një intervistë për Tribuna Shqiptare, ministri i FSK-së, Agim Çeku ka thënë se evoluimi i FSK-së në ushtri nuk do të jetë një akt, por një proces që do të zgjasë deri në vitin 2016, varësisht nga mundësitë ekonomike.
Megjithatë, procesi i transformimit sipas tij do të fillojë menjëherë pas 15 qershorit, kur edhe kalon faza e përcaktuar nga Pakoja e Ahtisaarit.
Duke folur për vendet anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur pavarësinë apo hezitojnë që ti lejojnë organizatës vendimin për pavarësimin e FSK-së, Çeku ka thënë se hezitimet do të tejkalohen.