Çeku priti atasheun ushtarak të ambasadës së Shqipërisë në Kosovë
Prishtinë, 4 shtator - Ministri i FSK-së Agim Çeku së bashku me komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastratin, sot pritën atasheun e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë kolonel Fiqri Hoxha. Atasheu Hoxha në këtë takim shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka.
Ministri dhe Komandanti i FSK-së i uruan mirëseardhje atasheut Hoxha, duke çmuar lartë bashkëpunimin e deritashëm me Ministrin e Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Ushtrinë e Shqipërisë.
Me këtë rast ministri dhe komandanti i FSK-së shprehen gatishmërinë e tyre për të thelluar dhe intensifikuar bashkëpunimin, duke ofruar mundësi dhe vullnet për bashkëpunim në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Ministri Çeku e informoi atasheun Hoxha edhe me proceset aktuale të zhvillimit në FSK, objektivat si dhe për procesin e Rishikimit të Sektorit Strategjik të Sigurisë në Kosovë (RSSSK).
Atasheu nga Shqipëria kolonel Fiqri Hoxha shprehu kënaqësinë për emërimin e tij atashe ushtarak në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë për të dhënë kontribut personal në shtimin e bashkëpunimit në mes të dy ministrive, më konkretisht në mes të Ushtrisë së Shqipërisë dhe FSK-së.
Kolonel Fiqri Hoxha është atasheu i parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë i emëruar në detyrën e atasheut ushtarak në Republikën e Kosovës.