Çeku në konferencën Sfidat e Sigurisë të Adriatikut dhe Jonit
Prishtinë, 28 maj - Ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku me ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, do të marrë pjesë në konferencën Sfidat e Sigurisë së Adriatikut dhe Jonit që do të mbahet në Tiranë nga data 28 deri më 30 maj 2013.
Në Konferencë, pos ministrit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe ministri i Mbrojtjes së Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa janë të ftuar të marrin pjesë edhe ministrat e mbrojtjes të Malit të Zi, Republikës së Maqedonisë, Serbisë, Italisë, Sllovenisë, Greqisë dhe Kroacisë.
Po ashtu delegacioni i Punëve Strategjike(DAS) i Francës, nga Qendra George Marshall në Gjermani, Qendra për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura-DCAF i Gjenevës në Zvicër, Qendra për Bashkëpunim të Sigurisë-RACVIAC nga Zagrebi i Kroacisë si edhe ata të Komandës së Bashkuar të ShBA-ve për Evropë.
Sesionet e punimeve të Konferencës Sfidat e Sigurisë së Adriatikut dhe Jonit do të zhvillohen në këto tematika; Perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sfidat e Sigurisë së Adriatikut dhe Jonit si edhe sesioni i dytë; Praktikat më të mira dhe eksperiencat prej regjioneve dhe organizatave.