Çeku: Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të jetë ushtri
Prishtinë, 24 dhjetor - Ministri Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku në një konferencë për mediat u shpreh sot se viti 2013 do të jetë viti i ushtrisë së Kosovës.
Çeku ka shprehur bindjen e tij që pas rishikimit të Strategjisë për Siguri Kombëtare në qershor të vitit 2013, do të dilet me konkluzat se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) duhet të jetë ushtri.
Pa dyshim vitin 2013 e kemi shpallur vitin e ushtrisë së Kosovës, padyshim që do të jetë, tha ministri Çeku.
Duke vlerësuar punën e deritanishme të dikasterit që ai mbulon, ministri u shpreh se e tërë kjo punë që po bëhet në FSK siç është Rishikimi i Sektorit Strategjik të Sigurisë Kombëtare është për ta ndryshuar strukturën, dhe misionin në përputhje me nevojat dhe kërkesat reale të vendit.
Sa i përket bashkëpunimit dhe partneritetit me NATO Çeku tha se FSK-ja dhe ministria që ai drejton ende nuk kanë arritur të kenë raporte formale dhe kontraktuale me NATO.