Çeku: Epopeja e UÇK-së kthesë në historinë e Kosovës
Prishtinë, 4 mars - Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Çeku, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për shënimin e 15-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, përkatësisht rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.
Tashmë çdo gjë është gati. Manifestimi qendror i Epopesë së UÇK-së do të fillojë të martën më 5 mars me ceremoninë ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Kazermën Adem Jashari, më 6 mars do të bëhen homazhe te varrezat e të rënëve për liri dhe pavarësi, kurse më 7 mars do të përmbyllet me Natën e Zjarreve në Sheshin Adem Jashari në Skenderaj, ka thënë Çeku për Epokën e re.
Ai ka treguar se edhe në këtë përvjetor do të vazhdohet tradita e shënimit të manifestimit shtetëror të Epopesë së UÇK-së, e cila do të mbahet nën patronatin e kryeministrit Hashim Thaçi. Faktikisht, nuk do të ketë ndonjë ndryshim as në këtë vit, sepse tashmë është bërë një traditë. Edhe këtë vit nuk kemi dashtë të lëvizim nga kjo traditë e krijuar dhe përvoja që e kemi instaluar. Prandaj, edhe këtë vit do të shkojmë me formatin e njëjtë, ka deklaruar ministri Çeku.
Ai ka vlerësuar se 5, 6 dhe 7 marsi është një ngjarje kthesë në historinë e shtetit të Kosovës. Çeku ka thënë se flijimi dhe sakrifica e familjes Jashari e pati mobilizuar tërë popullin shqiptar, kudo që ka qenë, që tu bashkohet radhëve të UÇK-së kundër pushtuesit serb.
Epopeja e UÇK-së e ka simboliken e sakrificës së popullit shqiptar, i cili çdoherë ka qenë i gatshëm të kontribuojë për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Flijimi dhe sakrifica e familjes Jashari e patën mobilizuar tërë popullin shqiptar, kudo që ka qenë që tu bashkohet radhëve të UÇK-së kundër pushtuesit serb.
Prandaj, 5, 6 dhe 7 marsi është një ngjarje kthesë në historinë e shtetit të Kosovës, ka deklaruar Çeku, duke shtuar se Epopeja e UÇK-së është projekt për nderim shtetëror për të gjithë ata që kanë sakrifikuar për shtetin e Republikës së Kosovës.
Epopeja e UÇK-së është manifestim shtetëror, është nderim shtetëror i familjes Jashari, i komandantit legjendar Adem Jashari dhe i të gjithë dëshmorëve për liri dhe pavarësi të vendit. Është projekt shtetëror, nderim shtetëror dhe respekt shtetëror për të gjithë ata që kanë sakrifikuar për shtetin e Republikës së Kosovës, ka thënë ministri i FSK-së, Agim Çeku.
Aktivitetet e Epopesë së UÇK-së
- Më 5 mars (e martë) pjesëtarët e FSK-së do të parakalojnë në Kazermën Adem Jashari në Prishtinë, ku të pranishëm do të jenë edhe përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të shtetit të Kosovës.
- Më 6 mars (e mërkurë) do të bëhen homazhe te varrezat e të rënëve për liri dhe pavarësi. Po gjatë ditës do të mbahet edhe një akademi përkujtimore.
- Më 7 mars (e enjte) do të përmbyllet manifestimi Epopeja e UÇK-së, me Natën e Zjarreve, në Sheshin Adem Jashari në Skenderaj.