Çeku e Zyrapi, deklarata kontradiktore për rastin Limaj
Prishtinë , 27 gusht - Dy ish-shefat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bislim Zyrapi e Agim Çeku, kanë dhënë deklarata kontradiktore para prokurorëve ndërkombëtarë në lidhje me përfshirjen e Fatmir Limajt në operacionin Shigjeta, i cili ishte përgatitur në Shqipëri gjatë pranverës së vitit 2009.
Ata në fakt janë të parët anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që i janë përgjigjur interesimit të prokurorëve se ku mund të ketë qenë Limaj në pjesën e parë të vitit 1999, kur në fshatin Kleçkë dyshohet të jenë kryer krime lufte dhe torturime ndaj të burgosurve, pikërisht me urdhër të tij.
Ndërsa ministri aktual i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Agim Çeku, i ka thënë prokurorit publik ndërkombëtar, Olivier Beauvallet, se gjatë një mbledhjeje të Shtabit komandues ishte vendosur që Limaj bashkë me disa eprorë të tjerë të shkonin në Shqipëri për të përgatitur operacionin ushtarak Shigjeta, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ka mohuar para prokurorit Maurizio Salustro, se emri i Limajt nuk është përmendur për t`u dërguar në një operacion të tillë.
Në fakt, gjatë marrjes në pyetje ata nuk i janë referuar së njëjtës mbledhje. Ndërsa Çeku ka folur për mbledhjen e Jezercit, Zyrapi për një mbledhje të mbajtur në Mollopolc e cila është organizuar disa ditë para asaj të Jezercit.
Por edhe për mbledhjen e Jezercit ata nuk kanë dhënë dëshmi të njëjta. Çeku ka konfirmuar se në atë mbledhje ka marrë pjesë Limaj, ndërsa Zyrapi ka thënë të kundërtën. Gjatë dhënies së dëshmisë, Çeku ka deklaruar kur kishte hyrë në Kosovë për të ndihmuar UÇK-në, ishin mbajtur disa mbledhje në zonën e Ferizajt dhe të Nerodimës, përkatësisht në fshatrat Mollopolc, Drenjak dhe Jazerc.
Çeku ka deklaruar se pikërisht në atë mbledhje ishte vendosur që ai ta merrte përsipër komandën e personelit të përgjithshëm të UÇK-së, me një fjalë, të merrte detyrat që deri në atë kohë i kishin kryer Bislim Zyrapi dhe Sylejman Selimi.
Një version më të gjatë lidhur me përgatitjet për operacionin Shigjeta e ka dhënë Zyrapi. Ai ka dëshmuar para prokurorit Salustro se çështja e këtij operacioni ishte diskutuar në dy mbledhje të mbajtura në Zonën e Nerodimës.