Çeku e Kastrati udhëtuan për një vizitë zyrtare në Letoni
Prishtinë, 4 nëntor - Me ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes të Letonisë, një delegacion i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës të prirë nga ministri Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati dhe sekretari i përgjithshëm, Shkëlzen Sylaj udhëtuan sot për një vizitë zyrtare në Republikën e Letonisë.
Delegacionin e MFSK-së në Letoni do ta presin ministri i Mbrojtjes, Raimonds Vejonis, sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, z. Janis Sarts, shefi i Mbrojtjes gjenerallejtënant Rraimonds Graube dhe shefi i Shtabit të Mbrojtjes gjeneralmajor Juris Zeibarts.
Gjatë qëndrimit dy ditor në Letoni, delegacioni i MFSK-së do të zhvilloi takime të përbashkëta në Ministrinë e Mbrojtjes, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Kombëtare të Letonisë dhe në Bazën Ushtarake në Adazhi. Republika e Letonisë është ndër shtetet e para që e ka njohur Pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Ajo po ashtu ka kontribuar me ushtarë në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, që nga viti 2000-2009, gjithashtu Letonia po vazhdon kontributin e saj për FSK-në përmes këshilltarëve profesional në Ekipin Këshillues të NATO-s.