Çekia vazhdon përkrahjen për Kosovën për liberalizimin e vizave
Prishtinë, 16 maj - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi priti në Kabinetin e tij, ambasadorin e Çekisë në Kosovë, Jiri Dolezel.
Në takimin e zhvilluar në mes të ministrit Rexhepi dhe ambasadorit Dolezel, është diskutuar për thellimin e marrëdhënieve ndërshtetërore si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Ri-pranim, e cila tani më është finalizuar dhe pritet të nënshkruhet gjatë muajit qershor të këtij viti.
Gjatë takimit, ministri Rexhepi shpalosi prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat dalin nga Programi qeveritar dhe agjenda evropiane, me theks të veçantë në forcimin e rendit dhe ligjit në vend dhe liberalizimin e vizave me BE-në.
Po ashtu është diskutuar për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe mundësitë e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Çekisë në fushën e sigurisë.
Ministri Rexhepi falënderoi Qeverinë e Çekisë për përkrahjen e dhënë shtetit të Kosovës për kontributin e madh në njohjen dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe tani në procesin liberalizimit të vizave.
Ndërsa ambasadori Dolezel shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Çekisë në përkrahjen e mëtejme të Qeverisë së Republikës së Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe liberalizimin e vizave dhe në fushat tjera.