Çdo vit 4 mijë qytetarë heqin dorë nga shtetësia
Vetëm në tre vjetët e fundit, nga rreth 4 mijë persona për çdo vit kanë hequr dorë prej shtetësisë së Kosovës.
Të dhënat e shtetësisë që Epoka e re i ka siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) tregojnë se 2 mijë e 315 persona janë liruar nga shtetësia e Kosovës vetëm në vitin 2009, ndërsa 141 e kanë fituar atë.
Më pas ky numër ka shkuar duke u rritur. Në vitin 2010 shtetësinë me lirim e kanë humbur 3 mijë e 983 persona. Në vitin 2011 një gjë të tillë e kanë bërë 3 mijë e 987 persona, ndërsa në vitin 2012 nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 3 mijë e 747 persona.
Zyra për Informim e MPB-së ka bërë me dije për Epokën e re se arsyeja e vetme e heqjes dorë e këtyre personave nga shtetësia e Kosovës është fitimi i shtetësisë së një shteti tjetër.
Sipas Zyrës për Informim të ministrisë, thuhet se ata që heqin dorë prej shtetësisë së Kosovës më së shpeshti marrin shtetasin e Republikës Federale të Gjermanisë, pasi shumica prej landeve të këtij shteti e kanë hequr të drejtën e dy shtetësisë.
Shtetasit tanë janë të obliguar të zgjedhin për të hequr dorë nga shtetësia e Kosovës për ta fituar shtetësinë e shtetit tjetër. Një gjë e tillë vlen edhe për Suedinë, Norvegjinë, Danimarkën si dhe vendet e tjera të BE-së. Heqja dore prej shtetësisë është vullnet i qytetarit ku i njëjti, pasi t`i përmbushë kushtet ligjore për heqjen e shtetësisë të paraparë me ligjin tonë për shtetësinë e Kosovës, ne jemi të obliguar ta respektojmë një vullnet të tillë, është thënë në përgjigjen e MPB-së për Epokën e re.
Sipas MPB-së, numri i madh i qytetarëve për të hequr dorë prej shtetësisë së Kosovës ka të bëjë me grumbullim e kërkesave nga vitet para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ky numër i madh i lirimit nga shtetësia vjen si rezultat i grumbullimit të kërkesave nga vitet paraprake deri te shpallja e pavarësisë. Çdo vit ky numër sa vjen e zvogëlohet, është thënë në përgjigjen e ministrisë.
Shefi i Departamentit për Diasporë në AAK, Jahja Lluka, ka thënë se heqja dorë nga shtetësia e Kosovës e një numri kaq të madh të qytetarëve nuk është shqetësuese. Në një prononcim për Epokën e re, ai ka deklaruar se lirimi nga shtetësia është çështje administrative të cilën e kërkojnë vendet që nuk e njohin parimin e dyshtetësisë.
Kur dihet numri shumë i madh i shqiptarëve të shpërngulur më herët dhe ende po vazhdon nuk është ndonjë numër shqetësues, sepse këtë e bëjnë për shkak të çështjeve administrative, e jo që për shkak të moskënaqësisë ndaj Kosovës. Është kërkesë e shteteve mike që nuk e lejojnë dyshtetësinë. Shembull, në Gjermani, nëse dikush dëshiron ti ketë dokumentet e rregullta, ai duhet të përcaktohet për shtetësi gjermane, ka thënë ai.
Sipas tij, shqetësim më i madh është kërkesa e madhe e të rinjve shqiptarë nëpër ambasadat perëndimore në Prishtinë të cilët kërkojnë viza.
Shqetësimi im është që edhe sot shumë të rinj janë duke u larguar prej Kosovës për shkak të mos perspektivës së Kosovës. Kjo është më shqetësuese sesa numri i këtyre që janë liruar nga shtetësia. Mjafton vetëm të shihet para ambasadave se sa shumë njerëz presin për një vizë, e mos të flas për mafien e cila shet viza sikur në një farë kohe gjatë okupimit sllav, është shprehur Lluka, duke shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të merret më tepër me çështje të hapjes së perspektivës për të rinjtë.
Baza ligjore dhe kriteret për humbjen e shtetësisë me lirim përcaktohen me Ligjin për Shtetësinë e Kosovës Nr.03/L-034, nenet 16 dhe 17 dhe plotësim-ndryshimin e ligjit për shtetësi Nr.04/L059, neni 7 si dhe me Udhëzim Administrativ Nr.04/2009-MPB. Procedurat e aplikimit për humbjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës me lirim janë pothuajse të njëjta sikur për personat madhorë ashtu edhe për personat e mitur.
Procedura e lirimit nga shtetësia për persona madhorë
Kërkesa për lirim nga shtetësia e Republikës së Kosovës për persona madhorë parashtrohet në Zyrën e Gjendjes Civile, sipas vendbanimit të fundit të parashtruesit të kërkesës. Kësaj kërkese duhen bashkangjitur këto dëshmi:
- Dëshminë për posedimin e shtetësisë të ndonjë shteti tjetër apo garancionin (provën) se kjo shtetësi do ti jepet;
- Certifikatën e lindjes.
- Kopje të dokumentit të identifikimit.
- Dëshmi për vendbanimin në shtetin e huaj ku banon.
- Dëshmi për vendbanimin e fundit në Republikën e Kosovës.
- Dëshmi që i ka përmbushur detyrimet financiare ndaj shtetit (dëshmi nga Administrata tatimore e Kosovës dhe nga Zyra Komunale e Tatimit në Pronë mbi përmbushjen e obligimeve tatimore).
- Dëshminë nga Qendra Komunale për Punë Sociale që i ka përmbushur të gjitha detyrimet financiare ndaj personave për ushqim dhe mbajtje të të cilëve është përgjegjës para ligjit.
- Dëshminë që nuk është nën hetime penale dhe që nuk është i dënuar për vepra penale e lëshuar nga gjykata kompetente e Republikës së Kosovës dhe nga Policia e Kosovës si dhe organi kompetent i shtetit të huaj, shtetas i të cilit është parashtruesi i kërkesës apo shtetin në të cilin ai/ajo ka pasur vendbanimin e fundit, jo më të vjetër se 6 muaj.
- Dëshmi nën betim që shtetasi që kërkon lirim nga shtetësia nuk është nëpunës civil, gjykatës, prokuror publik, pjesëtar i Policisë së Kosovës, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës ose pjesëtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
- Në rast se komisionet vendosin për lirimin e shtetasit nga shtetësia e Republikës së Kosovës, shtetasi në fjalë është i obliguar ta prezantojë dëshminë për pagesën e taksave administrative në shumë prej 150 eurosh.
- Të gjitha dokumentet e ofruara si dëshmi duhet të jen` të përkthyera në ndonjërën nga gjuhët zyrtare në Kosovë.
Procedura e lirimit nga shtetësia për të miturit
Kërkesa për humbjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës me lirim nga shtetësia për të miturit parashtrohet përmes prindërve apo njërit prind në Zyrën e Gjendjes Civile sipas vendbanimit (te fundit) të parashtruesit të kërkesës në Republikën e Kosovës. Kësaj kërkese duhet bashkangjitur këto dëshmi:
- Dëshminë për posedimin e shtetësisë të ndonjë shteti tjetër apo garancionin (provën) se kjo shtetësi do t`i jepet.
- Certifikatën e lindjes së të miturit.
- Certifikatën nga regjistrat e gjendjes civile të prindërve.
- Dëshmi për vendbanimin/vendqëndrimin e shtetit të huaj ku banon.
- Dëshmi për vendbanimin e fundit të prindërve në Republikën e Kosovës.
- Kopja e dokumentit të identifikimit të të miturit nëse e posedon.
- Kopjen e dokumentit të identifikimit të të dy prindërve.
- Deklaratën e pajtimit me shkrim nga të dy prindërit e vërtetuar.
- Pajtimi i të miturit më i vjetër se 14 deri në 18 vjet.
- Në rast se përkujdesjen e fëmijës së mitur e ka njëri prind, dëshmitë duhet të plotësohen vetëm nga njëri prind që e ka përkujdesjen e fëmijës së mitur. Në këtë rast kërkesës duhet t`i bashkëngjitet edhe dëshmia me të cilën vërtetohet se prindit në fjalë i është besuar përkujdesja ndaj fëmijës së mitur.
- Në rast se komisionet vendosin për lirim e fëmijës së mitur nga shtetësia e Republikës së Kosovës, prindërit apo prindi i fëmijës është i obliguar ta prezantojë dëshminë për pagesën e taksave administrative në shumë prej 50 eurosh.
- Të gjitha dokumentet e ofruara si dëshmi duhet të jenë të përkthyera në ndonjërën nga gjuhët zyrtare në Kosovë.(Epoka e re)