Caktohet masa e paraburgimit për dyshimin e kryerjes së tri veprave penale
Prizren, 11 shkurt – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Ajser Skenderi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.02.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 09.03.2022, ndaj të pandehurit F.M., për shkak të dyshimit zë bazuar se ka kryer veprat penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1, sulmi nga neni 184 par. 1 dhe kanosja nga neni 181 par. 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:
Se ka mbajtur në posedim armën në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla, ashtu që nga koha e pavërtetuar e deri me dt.09.02.2022, rreth orës 15:40, në zyrën e firmës së tij në Prizrenit, në sirtar ka pasur të fshehur pistoletën me gaz “WOLTAR PROFESIONAL” Mod.92, cal 9mm, me nr.serik.:........., së bashku me 4 (katër) fishek me gaz, për të cilat nuk ka pasur leje nga organi kompetent i MPB,
Me dashje përdor forcën ndaj personit tjetër, në atë mënyrë që me datë 09 shkurt, në orët e pasdites në Prizren, pas një mosmarrëveshje paraprake që kishte pasur me të dëmtuarin, në lidhje me parkimin e veturës që e kishte bërë i dëmtuari pranë hyrjes së parkingut nëntokësor të banesës, me ç ’rast i pandehuri F.M., i bie borisë së veturës për t’ia liruar rrugën, i dëmtuari ia bënë me dorë duke i thënë “prit 1 minutë se nuk bëhet nami”, atëherë i pandehuri F.M., e shan të dëmtuarin me fjalët “A e din kush jam unë”, del nga vetura e tij dhe e godet me shuplak,
I pandehuri F.M., dyshohet se seriozisht e kanos personin tjetër me gjeste se do ta dëmtoj me armë të zjarrit, në atë mënyrë pas sulmit që ia kishte bërë të dëmtuarit në kohë dhe vend të njëjtë të përshkruar si më lartë, i dëmtuari hynë në veturë dhe nisët në drejtim të fshatit Nashec, e pas tij menjëherë niset në ndjekje i pandehuri F.M., dhe me të arritur tek i dëmtuari me shpejtësi me automjet të tij e tejkalon të dëmtuarin e pastaj zbret nga vetura, nxjerrë pistoletën me gaz “WOLTAR PROFESIONAL” Mod.92, cal 9mm, me nr.serik.:.......... të cilën ia drejton të dëmtuarit në mënyrë kërcënuese, me ç rast të dëmtuarit i shkakton frikë,
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh rrezikshmërinë veprave penale të cilat dyshohet se janë kryer, faktin se veprat penale janë kryer në ambient publik, në prezencë të shumtë të qytetarëve në orët e pasdites, kurse veprën penale të kanosjes dyshohet ta ketë kryer me armën e lartcekur në prezencë të bashkëshortes së viktimës duke i krijuar shqetësim dhe frikë.
Andaj Gjykata ka ardhur në përfundim se me qëndrimin në liri të të pandehurit F.M., ekziston rreziku i arratisjes, dhe i përsëritjes së veprave panel apo i pandehuri mund të kryerje vepër penale edhe më të rëndë.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.