Caktohet masa e paraburgimit ndaj dy të miturve, për veprën penale
Prizren, 27 maj – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, gjyqtarja e procedurës – Arjeta Gashi, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të miturve E.B., dhe E.K., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: Grabitja nga neni 317 par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjyqtarja e procedurës – Arjeta Gashi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve i ‘u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, ashtu që kjo masë të miturve do t’iu llogaritet prej datës 24.05.2021 deri me datën 23.06.2021.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të miturve E.B., dhe E.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
- Me datën 25 maj, në parkingun e një qendre tregtare, me përdorimin e forcës apo kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, të miturit E.B., dhe E.K., e përvetësoj pasurinë e luajtshme të dëmtuarit F.E., në atë mënyrë që deri sa i dëmtuari ishte duke qëndruar në automjetin e tij, të miturit hyn brenda në automjet duke i kërcënuar me thikë për jetë dhe duke kërkuar të holla ku i dëmtuari F.E., i cili nën kërcënim ua jep paratë, e më pas të miturit po në kërcënim të armës – thikës, e detyrojnë të dëmtuarit që të miturit ti dërgojnë në një vend tjetër,.
- Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit, ka pasur parasysh peshën e veprës penale e cila është e natyrës së rëndë, si dhe faktin se të miturit E.B. dhe E.K., janë të regjistruar edhe si kryerës dhe të gjykuar edhe për vepra tjera penale, pikërisht pranë Gjykatës Themelore në Prizren, prandaj këto rrethana tregojnë se nëse të miturit lihen në liri ka rrezik të përsëritjes së ndonjë vepre tjetër penale edhe më të rëndë.
Nga të lartë cekurat, gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret masa e paraburgimit është e domosdoshme dhe e arsyeshme.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.