22 Dhjetor 2024

Caktohet masa e paraburgimit ndaj 5 personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare

 Prizren, 27 korrik – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Teuta Krusha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 25.07.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 24.08.2022, ndaj të pandehurve C.C., I.R., A.I., R.D., dhe Sh.A., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 414 par. 2 lidhur me par 1 lidhur me nenin 31, dhe falsifikimi i dokumentit zyrtar nga neni 427 par. 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

Të pandehurit si persona zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetrin apo që tu shkaktojnë dëm personave tjerë, në atë mënyrë që nga fillimi i muajit dhjetor 2021 e deri me datë 25.07.2022, i pandehuri C.C., ish-Koordinator në Zyrën për Komunitet dhe Kthim në Komunën e Prizrenit, e pandehura I.R., Menaxhere e Zyrës për Komunitet dhe Kthime në Komunën e Prizrenit, i pandehuri A.I., Zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve në Komunën e Prizrenit, i pandehuri R.D., Zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve në Komunën e Prizrenit dhe i pandehuri Sh.A., Drejtor i Ndërmarrjes “B-A.” Sh.P.K, me seli në fshatin Zhur-Komuna e Prizrenit, bazuar në tenderin e shpallur nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Prizrenit, “Furnizimi me material ndërtimor për rindërtimin e shtëpive të familjeve skamnore dhe rasteve sociale të komuniteteve minoritare në Komunën e Prizrenit”, përfituesve për furnizim me material ndërtimor-të dëmtuarve B.R., A.K., L.U., etj, nuk ua dorëzojnë në tërësi materialin ndërtimor ashtu siç ka qenë e paraparë në bazë të tenderit, me ç ’rast buxhetit të Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm material në shumë prej 13,283.00 Euro. 

Po ashtu, të njëjtit si persona zyrtar në dokumentin zyrtar shënojnë të dhëna të rreme ose nuk i shënojnë të dhënat e duhura, apo me nënshkrimin e tyre ose me vulën zyrtare vërtetojnë dokumentin zyrtar, regjistrin apo shkresën zyrtare e cila përmban të dhëna të rreme, në atë mënyrë që në periudhën kohore të lartcekur, me rastin e dorëzimit të materialit ndërtimor për përfituesit B.D., A.K., B.R., dhe L.U., nënshkruajnë në emër të tyre, edhe pse në fakt përfituesit nuk e kanë pranuar në tërësi ose fare materialin ndërtimor

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale, pasi që të akuzuarit dyshohen se në cilësi të personave zyrtar kanë ndërmarrë veprime kundërligjore, duke falsifikuar dokumente, kanë dëmtuar qytetarë të cilët janë pjesë të skemës sociale. 

Me lënien në liri të të pandehurve, ekziston rreziku i dëmtimit të provave, apo edhe ndikimi në dëshmitarë, me çka do të dëmtonin rrjedhën e procedurës penale, andaj Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyrën dhe rrethanat që dyshohen se janë kryer veprat penale, dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale nëse ndaj të pandehurve do të caktohej ndonjë masë alternative, andaj Gjykata vendosi për caktimin e paraburgimit, për shkak të mbarëvajtjes së procedurës së rregullt të procedurës penale – hetimore.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)