23 Dhjetor 2024

Bühler viziton Maqedoninë

Prishtinë, 2 shkurt - Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Erhard Bühler, vazhdoi turneun e tij përgjatë Ballkanit Juglindor me një vizitë të shkurtër zyrtare në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Gjenerali Buhler shkëmbeu pikëpamjet me Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Gjeneral Lejtnant Miroslav Stojanovskin, i cili ishte i shoqëruar nga oficerë të lartë të Shtabit të Përgjithshëm Maqedonas.

Në paraditen e hershme, komandanti i KFOR-it u takua me përfaqësuesit policorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për tu informuar mbi çështjet e sigurisë kufitare.

Në takimin e tij me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, Gjenerali Buhler prezantoi një përshkrim të plotë për gjendjen në Kosovë nga pikëpamja e KFOR-it dhe informoi autoritetet vendore ushtarake mbi çështjet dhe ngjarjet që kanë të bëjnë me KFOR-in.

Ai shpjegoi se KFOR-i me numër të reduktuar të ushtarëve do të veprojë në mbarë Kosovën me dy Grupe Luftuese Shumëkombëshe, e të cilat nuk kanë zona specifike rajonale të përgjegjësisë.

Ato do të operojnë nën komandën e drejtpërdrejtë të tij, me fleksibilitet, lëvizshmëri dhe gadishmëri të shtuar.

Për detyra rajonale do të ketë pesë Detashmente të Përbashkëta Rajonale (DPR) me Ekipet e tyre të Ndërlidhjes dhe Monitorimit (ENM) për të mbajtur kontaktin me të gjithë njerëzit në Kosovë.

Komandanti i KFOR-it e bëri të qartë se KFOR-i është ende i fortë pas riorganizimit dhe do t’i kryejë detyrat e veta me efikasitet dhe sukses. Në këtë mënyrë, KFOR-i dhe NATO do t’i kontribojnë stabilitetit të gjithë rajonit brenda dhe rreth Kosovës.
 
Gjatë konferencës së përbashkët me Gjeneralin Stojanovski, të dy gjeneralët u pajtuan se situata e përgjithshme e sigurisë në rajon dhe posaçërisht në kufi, është stabilizuar me sukses përgjatë viteve të fundit.

\"Nuk ka më kërcënim të rëndë ndaj sigurisë dhe njerëzit mund të jetojnë në paqe. Ky stabilitet i situatës së sigurisë është kusht i duhur dhe esencial për zhvillimin ekonomik dhe politik në këtë pjesë të Balkanit.\"

Por të dy delegacionet u pajtuan se kriminaliteti dhe potenciali për dhunë në disa rajone është ende sfidë, posaçërisht për forcat policore.

Gjenerali Stojanovski veçanërisht lavdëroi rolin e gjithëmbarshëm të Aleancës Veriore Atlantike e cila përgjatë dy dekadave të fundit ka stabilizuar dhe ende stabilizon sigurinë në mbarë rajonin.

Ai theksoi se NATO duhet dhe do të jetë garantues për zhvillimin demokratik dhe për të siguruar kornizën për prosperitet ekonomik.

Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë e vlerëson vehten si shtyllë të asaj sigurie dhe qëllimi i saj është të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së. Qeveria, posaçërisht Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura janë duke punuar shumë për t’i përmbushur kushtet për anëtarësim të tillë.

Gjenerali Stojanovski më tutje shpjegoi vullnetin e shtetit të tij dhe të Ministrisë së Mbrojtjes për të mbështetur formimin e FSK-së duke trajnuar oficerët dhe pjestarët e FSK-së.

Ata shkëmbyen informata mbi performancën e shtetit nikoqir së Qendrës për Koordinim të Mbështetjes, e cila është vënë në gadishmëri të plotë operacionale.

Detyra kryesore e kësaj qendre është të koordinohet me KFOR-in për doganë dhe procedura kufitare për transport, duke përfshirë kërkesa tjera të KFOR-it në fushën e logjistikës.

Më pastaj, përfaqësuesit e Policisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme e informuan delegacionin e KFOR-it për situatën e sigurisë në kufirin me Kosovën dhe bashkëpunimin sa i përket monitorimit të zonave në këtë kufi.

Ata e vlerësuan të duhur vendimin që Policia Kufitare e Kosovës të jetë përgjegjëse për ruajtjen e një pjese të kufirit të përbashkët nga 22 Janari i vitit 2011.

Gjithashtu u diskutua se përgjegjësia për kontrollim dhe monitorim të pjesëve tjera të kufirit mund t’i dorëzohet Policisë Kufitare të Kosovës nga KFOR-i.

Meqë këto pjesë janë sfiduese sa i përket kontrabandimit dhe imigrimeve ilegale, të dy palët u pajtuan ta planifikojnë dhe monitorojnë procesin e dorëzimit të përgjegjësisë me shumë kujdes dhe të vazhdojnë bashkëpunimin në kontekst të Komisionit të Përbashkët Implementues.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)