Brukseli: EULEX-i, i aftë të hetojë pretendimet e Dick Martyt
Bruksel, 21 prill - Bukseli nuk ndryshon qëndrimin se nuk është i nevojshme përfshirja e Kombeve të Bashkuara në hetimin për trafikimin me organe njerëzore në Kosovë, duke ritheksuar se për këtë EULEX-i është i aftë plotësisht.
\"EULEX-i është plotësisht i aftë dhe në në vendin më të mirë që të zbatojë hetimin për trafik organesh\", ka deklaruar për mediat serbe Maja Kociançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme, Catherine Ashton.
Serbia ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit që për hetimin e pretendimeve nga raporti i Dick Martyt të mandatohet OKB-ja.
Këshilli i Sigurimit do të mblidhet më 12 maj për të diskutuar për raportin e rregullt tremujor të UNMIK-ut për Kosovën.
Sipas pritjeve të Beogradit, kjo do të ishte \"rast ideal\" që kërkesa e serbe të futet në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje.
Në muajin maj KS-në e kryeson Franca. Ndërkaq, që kërkesa e Serbisë të marrë \"dritën jeshile\" nevojitet që për të votojnë shumica e prej nëntë anëtarëve dhe me këtë rast asnjëri prej tyre që kanë vendet e përhershme të mos përdorë të drejtën e vetos, gjë që kjo vështirë të ndodhë kur dihet se në shkurt anëtarët kryesorë të KS - SHBA, Britania e Madhe, Franca kishin hedhur poshtë një kërkesë të ngjashme të Serbisë.
Ambasadorët e këtyre shteteve hodhën poshtë kërkesën e Serbisë për krijimin e një gjykate ad hoc për hetim të akuzave për trafikim të organeve, duke thënë se misioni i Bashkimit Evropian për polici dhe sundim të ligjit, EULEX tashmë i kishte filluar hetimet paraprake dhe se e kishte mandatin dhe aftësinë ta bëj këtë.