Britania do të vazhdojë të ndihmoj edhe në të ardhmen FSK-në
Prishtinë, 18 mars - Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), zotëri Haki Demolli priti një delegacion të Ministrisë së Mbrojtjes nga Mbretëria e Bashkuar të kryesuar nga Drejtori për Politika Ndërkombëtare të Sigurisë zotëri Nick Gurr, i cili shoqërohej edhe nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë zoti Ian Cliff, Dominic Braitwait shef i Ekipit Këshillues të NATO-s në MFSK, Kolonel Richard Parry atashe ushtarak në Prishtinë, Luke Stivens dhe këshilltari ushtarak në MFK kolonel David Jones.
Në takim mysafirët nga Mbretëria e Bashkuar ministri Demolli i njoftoi mbi rrjedhat në FSK dhe MFSK, mbi ceremoninë e sotme të dorëzim-pranimit të detyrës së Komandantëve të FSK-së, procedurat dhe zhvillimin e procesit për transformimin e FSK-së në FAK, duke falënderuar për bashkëpunimin e ngushtë në mes të MFSK dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, për ndihmën në trajnime dhe shkollim të pjesëtarëve të FSK-së, me angazhim e vazhdueshëm, që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në fushat me interes të përbashkët.
Gurr duke vlerësuar të arriturat e deritashme të FSK-së dhe bashkëpunimin e mirë të deritashëm në të dy ministrive edhe një herë shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar edhe në të ardhmen FSK dhe MFSK në realizimin e detyrave mbi bazën e marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të dy ministrive përkatëse të nënshkruar vite më parë.
Të pranishëm në takim ishin edhe Komandanti FSK gjenerallejtënant Rrahman Rama, Sekretari i Përgjithshëm i MFSK-së zoti Shkëlzen Sylaj dhe Shefi i Departamentit për Bashkëpunim dhe Siguri Kolonel Ilir Qeriqi.
Delegacionin e Mbretërisë së Bashkuar në takim të veçantë e priti edhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, të cilin e uruan për gradimin dhe detyrën e re, të komandantit të FSK-së.