Bramerc në Beograd, diskutohet edhe rasti Haradinaj
Beograd, 13 shtator - Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës, Serzh Bramerc, ka arritur në Beograd, ndërsa sot pritet të takojë zyrtarët më të lartë të këtij vendi, përfshirë dhe presidentin Boris Tadiç.
Temë e bisedimeve mësohet se do të jetë vazhdimi i bashkëpunimit Serbi-Hagë në lidhje me gjykimet aktuale në Gjykatën ndërkombëtare.
Mediat serbe bëjnë të ditur se në takim me prokurorin e Serbisë për krime të luftës, Vlladimir Vukçeviç, do të ngrihet edhe çështja e dëshmitarëve në rastin Haradinaj.
Të njëjtat burime thonë se Bramerc do të përsërisë qëndrimin se asnjë person në listën e dëshmitarëve të këtij rasti, nuk është vrarë.
Ditë më parë, Gjykata ka hedhur poshtë pohimet e Vukçeviçit, i cili ka thënë se \"mbi 40 dëshmitarë në proceset Haradinaj dhe Limaj janë vrarë ose frikësuar\".