Bllokimi i rrugëve në veri deri të martën
Prishtinë, 6 gusht - Serbët lokalë të veriut të Kosovës kanë thënë se do të vazhdojnë t`i mbajnë të bllokuara rrugët në disa pika në veri, deri në analizimin final të marrëveshjes për veriun.
Njëri nga liderët serbë të veriut, Kërstimir Pantiç, ka deklaruar se pas takimeve të së premtes me shefin e delegacionit serb në bisedime me Prishtinën, Borisllav Stefanoviç, dhe pas një takimi që liderët serbë të veriut zhvilluan gjatë ditës, është marrë vendim që të martën të merret një vendim në lidhje më qëndrimrin konkret që do të mbahet më tej.
Ne nuk i kemi thënë asgjë në lidhje me qëndrimet tona, por kemi vendosur që të martën të mbajmë një seancë të komunave në veri, ku do të shqyrtojmë propozimin e marrëveshjes. Dhe këtu, kuvendi i komunave do të japë vendimin përfundimtar në lidhje me marrëveshjet e propozuara, tha Pantiç duke shtuar se bllokadat rrugore në veri do të vazhdojnë të qëndrojnë aty.
Misioni i NATO-s bëri të ditur se në veri është mundësuar sërish liria e lëvizjes, por bllokime ka pasur në Rudarë.
Zëdhënësi i KFOR-it, Hans Diter Viher, theksoi se shpreson se deri në fillim të javës së ardhshme të hiqen të gjitha pengesat ekzistuese dhe të zbatohet në tërësi pajtueshmëria e arritur me palët e përfshira.