BIK-u përkrah aksionin e policisë
Prishtinë,. 11 gusht - Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, aksionin e sotëm të organeve të shtetit e përkrah dhe e përshëndet si masë të nevojshme për ruajtjen dhe sigurinë e vendit.
Në një komunikatë bë BIK-ut, thuhet se vendi ynë dhe besimtarët tanë, në asnjë mënyrë e në asnjë rrethanë nuk duhet që të jenë pjesë e grupeve ilegale që me aktivitetin e tyre rrezikojnë jetën e të rinjve tanë dhe kërcënojnë sigurinë e vendit.
Bashkësia Islame e Kosovës kërkon nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e duhura ndaj kujtdo qoftë që rrezikon sigurinë e qytetarëve dhe rendin kushtetues të vendit. Bashkësia Islame e Kosovës po ashtu edhe me këtë rast shprehet kundër atyre që përkrahin e promovojnë gjuhë të urrejtës, interpretim të ngushtë të mësimeve fetare dhe politizimit të fesë.Stabiliteti i vendit, siguria e qytetarëve dhe jeta e të rinjve tanë është përgjegjësi e institucioneve të vendit, e të cilat duhet mbështetur e përkrahur pa hezitim nga të gjitha strukturat e shoqërisë.
Ftojmë qytetarët tanë që të përkrahin organet e shtetit dhe të mos bien pre e individëve të papërgjegjshëm e të pa adresë që manipulojnë fenë për qëllime johumane e jo fetare.Bashkësia Islame e Kosovës, edhe njëherë fton besimtarët e në veçanti të rinjtë tanë, që të mos bien pre e grupeve të ndryshme që thirren në emër të të ashtuquajturit xhihad e njëfarë Halifati, thuhet në komunikatë.
Bashkësia Islame e Kosovës mbetet e përkushtuar në promovimin e vlerave islame që na urdhërojnë në paqe, në tolerancë e në mirëkuptim, larg urrejtjes, mos durimit e ekstremizmit.