Betohen zyrtarët e Inspektorati Policor të Kosovës
Prishtinë, 23 dhjetor - Me zotimin për zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për përgjegjshmëri, sinqeritet, barazi, integritet e ndershmëri, 24 zyrtarë të IPK-së dhanë sot betimin në ndërtesën e Inspektoratit Policor të Kosovës.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të institucioneve që ndërlidhen me fushën e sigurisë.
Gjatë këtij betimi, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se me betimin e këtyre inspektorëve të rinj, IPK-ja gati po i plotëson nevojat e veta.
Është ditë e madhe për Inspektoratin Policor të Kosovës për arsye se gati i përmbush nevojat me stafin e nevojshëm. Ju pret një punë madhe bashkërisht që të gjitha ato njohuritë që i keni arrit deri tash ti zbatoni në praktikë për arsye se Inspektorati Policor i Kosovës është gjithnjë duke u ngritur dhe ka rezultate evident edhe puna juaj e mirë i ndihmon edhe policisë që të punoj shumë më mirë, ka thënë ai duke ju adresuar zyrtarëve të IPK-së që dhanë betimin.
Rexhepi i ka porositur të gjithë që të punojnë me përgjegjësi, derisa ka thënë se i pret një punë e madhe në të ardhmen.
Kurse, Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, z. Fitim Shishani, ka thënë se kjo ditë e betimit ua kujton të gjitha sakrificat dhe sfidat që i kanë kaluar deri më sot.
Secili profesion bart me vete shumë sfida e vështirësi, dhe ju koleg të mi të IPK-së, secilën ditë të punës, para se të ndërmerrni një veprim ose mosveprim të caktuar kujtojeni betimin e dhënë theksoi Kryeshefi Shishani duke potencuar se kjo e arritur që sot po pasqyrohet është e arritur e Ministrit të brendshëm dhe ICITAP-it.
Betimin e 24 pjesëtarëve të rinj të Inspektoratit Policor të Kosovës, e ka bërë Drejtori i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Jetullah Aliu.