05 Maj 2024

Betohen kadetët e rinj të FSK-së

Prishtinë, 10 shtator - Në ambientet e kazermës “Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore (KFT), në Prishtinë, sot, u zhvillu ceremonia e dhënies së betimit dhe fillimi i vitit të ri akademik 2014-2015, të 13 kadetëve të Qendrës për Studime Universitare (QSU) të FSK-së, gjenerata 2018.        

Në ceremoninë e betimit morën pjesë; ministri i MFSK-së, Agim Çeku, zëvendësministri Bejtush Gashi, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Kadri Kastrati, gjeneral brigade Nazmi Ibrahimaj, komandant i BRSH-së, përfaqësues të KFOR-it, të NLAT-it, përfaqësues të ambasadës amerikane në Prishtinë, oficerë të lartë të FSK-së dhe KFOR-it, si dhe familjarë të kadetëve dhe të ftuar të tjerë.

Qendra për Studime Universitare e FSK-së, është themeluar në vitin 2005, si institucion edukativo-arsimor. Në këtë qendër deri më tani kanë kaluar dhjetë gjenerata,  prej të cilave, gjashtë gjenerata kanë diplomuar dhe po shërbejnë si oficerë në FSK, ndërsa katër gjenerata po vazhdojnë shkollimin.

Ceremonia e sotme filloi me parakalimin e kadetëve të QSU-së, dhe intonimin e Himnit të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, pasi përshëndeti të pranishmit, tha: “Dita e sotme është e një rëndësie të veçantë për Qendrën për Studime Universitare dhe për Forcën e Sigurisë të Kosovës, por dhe për mua personalisht si komandant i FSK-së."

"Ne jemi të përkushtuar që ta ndërtojmë një forcë moderne e profesionale të sigurisë, të trajnuar mirë dhe të pajisur me infrastrukturë sipas standardeve të Aleancës Veri-Atlantike. Për arritjen e këtij standardi nuk mjafton vetëm dëshira dhe përkushtimi i pjesëtarëve, por duhet edhe ngritja profesionale dhe kjo arrihet vetëm përmes shkollimit dhe trajnimit të kuadrove të reja. Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës këtë objektiv e arrin përmes  Qendrës për Studime Universitare dhe në bashkëpunim edhe me Universitetin Amerikan në Kosovë dhe universitet  tjera të Kosovës dhe jashtë saj”.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Kastrati theksoi se edhe këtë vit interesimi i të rinjve, për ta veshë uniformën e kadetit të Qendrës së Studimeve Universitare të FSK-së, ka qenë shumë i madh, për të shtuar: “Para jush, sot, janë rreshtuar kadetët më të mirë, që me sukses i kanë kaluar të gjitha testimet, si dhe kanë përballuar me sukses javën e fundit, të ashtuquajtur ‘java e ferrit’. Për këtë sukses, ju përshëndes dhe përgëzoj”.

Gjeneral Kastrati më pas ju drejtua kadetëve të rinj:” Nga sot, ju nuk jeni duke u shkolluar si moshatarët e juaj, për të qenë të vlefshëm vetëm për vete dhe për familjen. Ju sot po e filloni shkollimin tuaj për të qenë të vlefshëm, për vendin, qytetarët e vendit tonë dhe për vetën tuaj. Ju sot, po merrni përgjegjësi të reja, po betoheni para flamurit, para prindërve, para komandantëve tuaj, që do të jeni të përkushtuar ndaj vendit, ndaj atdheut, duke pasur gjithmonë parasysh moton e ushtarakut: nderi, detyra dhe atdheu”.

Ai shtoi: “Bazuar në gatishmërinë tuaj, përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit të QSU-së, shpreh bindjen se detyrat dhe sfidat që na presin, do arrijmë t’i realizojmë qind për qind me  realizimin e programeve të shkollimit universitar të QSU-së, të bazuar në dinamikën e planit të përcaktuar nga QSU-ja”.
 

Komandanti i FSK-së, në fund, falënderoi prindërit dhe familjarët e kadetëve për mbështetjen e fëmijëve në realizimin e synimeve dhe dëshirave të tyre, për t’u bërë ushtarë të vendit.

 Ndërsa, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, gjatë fjalës përshëndetëse tha: “Vërtetë, sot, është një ditë shumë e rëndësishme për Forcën e Sigurisë së Kosovës. FSK-ja ka arritje të shumta që neve na bënë të mburremi. Akademia Ushtarake e FSK-së, ka nxjerrë oficerë shumë cilësorë me të cilët ne krenohemi, oficerë konkurrues me ushtritë ma moderne dhe ma të avancuara në Botë."

"FSK-ja është duke u përgatitur që të marrë mbi vete detyrat ma komplekse, ma serioze, ma sfiduese, detyrat për të cilat ka nevojë ky vend dhe ky popull, për ta mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial, jetën dhe pasurinë e qytetarëve të Kosovës, por edhe për të kontribuar në ndërtimin e paqes dhe sigurisë kudo në Botë. Ky fakt dëshmon se ne jemi duke u përgatitur për detyra të reja, duke shkolluar oficerë që mbi vete do t’i bartin këto detyra dhe këto sfida të reja, por mbi të gjitha kjo është një ditë e veçantë për kadetë, me çka dua t’ju përgëzoj se në mesin e 400 kandidatëve që kanë aplikuar për të qenë në këtë rresht, ju jeni përzgjedhur më të mirët, dhe ishit më të mirët në mesin e tyre”.

 Në fund, ministri Agim Çeku, kërkoi nga kadetët e rinj: “Kërkoj nga ju, që mos të na zhgënjeni as neve, as komandantët tuaj, as familjet tuaja, dhe, ne jemi të bindur se i kemi zgjedhur më të mirët, sepse më të  mirët mundën me qenë këtu dhe veç më të mirët mundën me qenë oficerë të FSK-së. Ju po shkolloheni për të qenë të vlefshëm edhe për veten dhe familjen tuaj, por mbi të gjitha për të qenë të vlefshëm për vendin tonë. Ju po merrni përgjegjësi të reja, po betoheni para ministrit, para prindërve, para komandantëve tuaj, që do të jeni të përkushtuar ndaj vendit.”

Ministri i FSK-së, Agim Çeku, ua ka rikujtuar kadetëve të rinj detyrat që duhet t’i kryejnë në të ardhme. "Që nga sot, ju përveç se jeni qytetarë, jeni në radhë të parë ushtarë dhe në çdo situatë, në çdo rrethanë duhet ta dini se kush jeni dhe si duhet të veproni. Ju keni përzgjedhë një profesion të vështirë i cili kërkon vetëmohim, përkushtim dhe guxim, por mbi të gjitha është një profesion shumë fisnik, ku nuk ka gjë më të mirë, se sa shërbimi për vendin dhe popullin tënd. Ju e kishit këtë fat, andaj mos harroni se në asnjë moment nuk duhet të dështoni, përkundrazi duhet të jeni shembull çdo kund; në kazermë, në universitet, në rrugë etj”.

Në fund, kadetët e rinj të FSK-së, solemnisht dhanë betimin para komandantit të Qendrës së Studimeve Universitare kapiten Avni Kiçina.  

Pas përfundimit të ceremonisë, familjarët së bashku me kadetët, vizituan ambientet e QSU-së, ku u njoftuan me kushtet e kësaj qendre, në të cilën kadetët do të mësojnë dhe qëndrojnë për katër vjet gjatë studimeve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)