16 Janar 2025

Betohen 170 ushtarë të rinj për shërbim në FSK

Prishtinë, 30 tetor - Nga sot radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK) i shtuan edhe 170 ushtarë të rinj të cilët u betuan pas certifikimit me rastin e përfundimin me sukses të trajnimit bazik. Ceremonia e betimit dhe certifikimit u zhvillua në kazermën  “Skënderbeu”, të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së, në Ferizaj.

Pas parakalimit të rekrutëve, revistës së trupave nga kolonel Irfete Spahiu, zëvendëskomandantë e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes,  intonimit të himnit shtetëror të Kosovës, filloi ceremonia zyrtare e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, në prani të ushtarakëve, oficerëve dhe familjarëve të tyre.

Në fjalën e tij, ministri i MFSK-së, z. Haki Demolli, e vlerësoi lartë këtë ceremoninë e betimit dhe të  certifikimin të rekrutëve të rinj, të cilët po i shtohen radhëve të FSK-së. Ministri me këtë rast tha iu drejtua ushtarëve të rinj me këto fjalë: ,, Të dashur rekrutë të rinj dje, ushtarë të rinj sot, të rreshtuar para nesh, të mbushur me krenari, motivim dhe gëzim, duke reflektuar shpresën për një të ardhme më të sigurt, mos harroni se nuk ka mision më të shenjtë se detyra e juaj, ushtarë në shërbim të mbrojtjes së lirisë, paqes dhe demokracisë, vlera dhe parime këto për të cilat gjenerata të tëra u angazhuan dhe sakrifikuan shumë.’’

Më tej, ministri Demolli tha se beson  thellësisht dhe është i bindur se, zelli, disiplina, motivimi dhe përkushtimi që i ka përcjellë rekrutët deri sot, për tu përgatitur që ata të jenë të gatshëm të ballafaqoheni me obligimet  dhe detyrat fillestare të ushtarit të FSK, do t’i shoqërojnë dhe do të jenë pjesë e aktivitetit dhe punës së tyre gjatë gjithë kohës së shërbimit tyre në FSK.

Ministri Demolli, ka përgëzuar stafin e KDS, “për përgatitjen, trajnimin dhe transmetimin e përvojave të tyre profesionale tek rekrutët  e rinj të FSK-së duke shtuar se ushtarët e rinj po certifikoheni në një moment të rëndësishëm të ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse të shtetit tonë, po certifikohen në kohën kur janë bërë planifikimet dhe përgatitjet e duhura për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

Në fund, ministri Demolli premtoi bashkëpunim dhe përkrahjen pa rezervë të stafit të Ministrisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, për rekrutët dhe shtoi se ,,Ne do të angazhohemi dhe do të punojmë në krijimin e kushteve optimale, sigurimin e pajisjeve moderne, programeve arsimore dhe stërvitëse për pjesëtarët tonë që në çdo kohë të jenë të aftë dhe gatshëm për përmbushjen e misionit dhe detyrave kushtetuese’’.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama  në fjalën e tij, tha se e di që rrugëtimi i rekrutëve ushtarëve të rinj nuk ishte i lehtë sepse gjatë kursit bazik ata kishin sfida fizike dhe psikike, por Ju, shtoi Komandanti i FSK-së ja dolët që sot të certifikoheni dhe të jepni betimin për të shërbyer si ushtarë të Kosovës.

Më tej,  gjeneral Rama tha se në këtë sfidë të përbashkët  ushtarët e rinj mësuan për disiplinën dhe për vlerat që duhet ti kenë ushtarakët, ata gjithashtu mësuan se si të përkujdesen për njëri tjetrin dhe si ta mbështesin njëri tjetrin gjatë zbatimit të detyrave sepse profesioni i ushtarakut  kërkon punë ekipore dhe vetëm si të tillë, pra si ekipe, mund ta përmbushim misionin me sukses.

Komandanti i FSK-së, në fund të fjalës së tij i’u drejtua ushtarëve të rinj me këto fjalë: ,,ushtarë të rinj të Kosovës, Ju zgjodhët një profesion fisnik për ti shërbyer vendit dhe qytetarëve të tanë pa dallim, atëherë kur ata kanë nevojë më së shumti, por duhet të keni parasysh se zhvillimi juaj profesional nuk përfundon këtu  dhe për këtë ju duhet të angazhoheni më tutje për zhvillimin tuaj profesional dhe personal.’’

Dhe, fare në fund duke ju dëshiruar shëndet ushtarëve të rinj, gjenerali Rama iu drejtua ushtarëve të rinj me një porosi që të jeni ushtarë të disiplinuar, të gatshëm dhe me integritet, të respektoni urdhëruat dhe drejtimin e udhëheqësve tuaj, kryeni detyrat e juaja sipas standardeve edhe atëherë kur nuk keni mbikëqyrje nga askush sepse siç tha Komandanti, Ai pret që ushtarët të  jenë këmbëngulës dhe të përkushtuar në kryerjen e detyrave që ju jepen, të jeni shembull  të ushtarëve profesionist.

Për realizimin me sukses të programit të trajnimit bazik, foli major Sami Hajrullahu, komandant i Qendrës së Stërvitjes Bazike në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes i cili tha se në këtë gjeneratë po diplomojnë 170 rekrutë, prej tyre 8 ushtare dhe 6 ushtarë, pjesëtarë të komuniteteve.

Ai tha se kjo gjeneratë karakterizohet me përkushtim gjatë stërvitjeve si dhe rezultate të shkëlqyeshme. Në fund, major Hajrullahu tha se nëpërmjet këtij kursi është arrit përmbushja e objektivave të programit mësimor sa i përket aftësimit profesional të rekrutëve, përgatitjes fizike dhe psikike , si dhe hedhjes së bazave për karrierën e pjesëtarëve të rinj të FSK-së.

Në fund, solemnisht u bë betimi i 170  rekrutëve të rinj, gjenerata e dytë 2015, të cilët do të shërbejnë në kuadër të gjitha njësiteve të FSK-së, në Kosovë.

Në ceremoni mori pjesë: ministri i MFSK-së, z. Haki Demolli, zëvendësministri Muhamet Latifi, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, zëvendës komandanti i KFOR-it, Kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Daut Haradinaj, si dhe anëtari i këtij komisioni Rexhep Selimi, përfaqësues nga Policia e Kosovës si dhe gjeneral dhe ushtarak të FSK-së, KFOR, oficer të Ekipit këshillues të NATO-s për MFSK-ë, të Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s për FSK (NLAT), atashetë ushtarakë të akredituar në Prishtinë, kryetarë komunash, familjarë të rekrutëve, dhe të ftuar të tjerë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)