Beogradi ti zbulojë të gjitha varrezat masive në Serbi
Prishtinë, 11 maj - Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni tha të martën se do ti shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike që ti bëjë trysni Serbisë që ti zbulojë vendndodhjet e varrezave masive dhe ta zbardhë njëherë e përgjithmonë fatin e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë.
Është minimumi që Qeveria e Serbisë, qoftë edhe në kuadër të asaj që është përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve tona, ka thënë Hyseni.
Sipas shefit të diplomacisë kosovare, është vështirë që të besohet se një veprim kriminal që është bërë nën sponsorimin e Qeverisë së Beogradit, gjatë luftës së fundit në Kosovë, e të mos dihet për vendëndodhjen e këtyre varrezave masive.
Ne insistojmë që Beogradi të mos e përdor çështjen e të pagjeturve si një mjet lufte diplomatike kundër Kosovës. Por, kjo, të vihet në rrafshin humanitarë dhe të shihet si çështje humanitare e Kosovës, ka thënë Hyseni.
Ministri Hyseni tha se edhe nëse do të ketë bisedime teknike me Beogradin, çështja e të zhdukurve duhet të jetë një ndër temat e para që duhej të bisedohej në këto takime.