Beogradi nuk i shpërbën strukturat paralele
Mitrovicë, 11 janar - Të gjitha strukturat paralele në veri të Kosovës, organet e përkohshme (komuna paralele), institucionet e arsimit e të shëndetësisë, të cilat punojnë me ligje të Republikës së Serbisë, përfshirë edhe organizatën e sigurisë të ashtuquajtur Civilna Zastita dhe të cilat financohen me buxhetin e Republikës së Serbisë do të vazhdojnë të jenë aktive dhe të funksionojnë edhe në vitin 2016, por edhe më tutje, nëse Prishtina nuk i zbaton marrëveshjet e Brukselit pikë për pikë.
Qeveria në Beograd, sipas medieve serbe në veri të Mitrovicës, ka zbatuar dhe ka respektuar të gjitha marrëveshjet e arritur, përfshirë edhe atë për integrimin e pjesëtarëve të Civilna Zastita-s në veri. Sipas marrëveshjes, të cilën e kanë bërë publike mediet në veri, integrimi i 483 ish-pjesëtarëve të Civilna Zastita-s ka qenë dashur të përfundojë me 1 shtator 2015 me mundësi të zgjatjes së afatit deri më 15 shtator të të njëjtit vit.
Të gjitha obligimet lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje Beogradi i ka plotësuar me përpikëri, përveç ndërprerjen e pagave të pjesëtarëve të CZ, sepse nuk është përcaktuar qartë se deri kur pala tjetër do ti integrojë dhe të nisë ti paguajë pjesëtarët e tjerë, si dhe të gjithë pjesëtarët e integruar të Civilna Zastita. Është arritur marrëveshje precize se në cilat institucione do të integrohen ata 483 pjesëtarë, por deri më tani janë integruar 105 persona, sqarojnë mediet serbe.
/Zëri/