Belgjika përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Interpol
Prishtinë, 25 tetor - Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka pritur në takim njoftues shefin e ri të zyrës diplomatike të Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, z. Jean Louis Servais.
Me këtë rast ministri Hyseni e uroi për postin e ri dhe i ofroi përkrahjen e tij të plotë.
Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës, si në rrafshin politik, por edhe në atë të koordinimit të aktiviteteve në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit etj.
Me këtë rast ministri Hyseni vuri në pah përkrahjen që ka dhënë Mbretëria e Belgjikës për Republikën e Kosovës, veçanërisht në procesin e integrimeve euro-atlantike.
Në veçanti ministri Hyseni kërkoi përkrahjen e Mbretërisë së Belgjikës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në INTERPOL.
Ndërsa shefi i zyrës diplomatike të Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, z. Jean Louis Servais, falënderoi ministrin Hyseni për pritjen dhe për gatishmërinë e bashkëpunimit në mes dy vendeve.
Ai tha se Mbretëria e Belgjikës edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të përkrahë Republikën e Kosovës, në avancimin e mëtejmë të proceseve demokratike.
Po ashtu ai vlerësoi punën e Policisë së Kosovës dhe theksoi se Mbretëria e Belgjikës përkrahë plotësisht anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.