Belgjika mbështet Departamentin e Mjekësisë Ligjore
Prishtinë, 1 prill - Me ftesë të Drejtorit të Departamentit të Mjekësisë Ligjore (DML), Arsim Gerxhaliu, sot ka qëndruar në këtë Departament për një vizitë pune, Shefi i Zyrës Belge në Kosovë, Vim Peters.
Gjatë këtij takimi Gerxhaliu ka falënderuar Peters për trajnimet të cilat i janë mundësuar përmes Grantit Belg i cili ndihmoi në zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale mjekoligjore bazuar në standardet mjeko-ligjore të Bashkimit Europian.
Drejtori Gerxhaliu ka informuar Peters për zhvillimet e fundit në DML, përfshirë këtu dorëzimin e rasteve të identifikuara të Suharekës dhe Krushës së Vogël. Po ashtu Peters u informua rreth përgatitjeve që po bëhen për të filluan punën në regjionin e Rashkës.
Në anën tjetër Peters ka falënderuar përfaqësuesit e këtij departamenti për bashkëpunimin që kishin, ndërkohë ka shprehur gatishmërinë në emër të Zyrës Belge për mbështetje të vazhdueshme për DML-në, duke ofruar kapacitetet e Zyrës Belge krahas nevojave profesionale të këtij departamenti.