Bëhen përgatitjet për ushtrimin fushor ”MASCAL 2017"
Prishtinë, 15 gusht - Agjencia e Menaxhimit Emergjent-AME e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me mandat koordinues qeveritar për menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, me përkrahje, organizim dhe asistencë nga Komanda e KFOR-it dhe me pjesëmarrjen e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, prezentë në Kosovë që kanë mandat reagimin në incidente specifike, kanë planifikuar realizimin e Ushtrimit Fushor “MASCAL 2017” me skenar: “Rrëzimi i Aeroplanit Komercial”, ku si pasojë ka lëndime në masë.
Zhvillimi i ushtrimit do ta testojë zbatueshmërinë e dokumenteve bazë për Menaxhimin Emergjent në Republikën e Kosovës, si dhe gatishmërinë e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare prezentë në Kosovë, për reagim dhe koordinim gjatë incidenteve të karakterit vendor.
Objektivat kryesore të ushtrimit janë: Komunikimi dhe Koordinimi në incidente të karakterit kombëtar; Reagimi i koordinuar midis faktorit vendor dhe ndërkombëtar, bazuar në Sistemin e Integruar të Menaxhimit të Emergjencave (SIME) dhe Planin e Reagimit Kombëtar (PRK), si dhe Rimëkëmbja pas situatave të kësaj natyre.
Në ushtrim do të marrin Pjesë: Agjencia e Menaxhimit Emergjent-Planifikimi dhe koordinimi; Aeroporti i Gjakovës – vendimmarrja; Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës - AACK; Komisioni për hetimin e aksidenteve dhe incidenteve Aeronautike - KHAIA; Reaguesit e parë si Zjarrfikësit, Shërbimet mjekësore emergjente dhe Policia e Kosovës, Reaguesit e dytë: Forca e Sigurisë së Kosovës dhe reaguesi i tretë, KFOR-i.
Ky ushtrim planifikohet që të mbahet në javën e fundit të muajit gusht.