BE përfundon përkrahjen për sistemin e adresave të unifikuara në Kosovë
Prishtinë, 9 dhjetor - Përmes një konferencë sot përmbyllet projekti katërvjeçar "Përkrahja e BE-së për Agjencinë e Regjistrimit Civil dhe sistemin e adresave të unifikuara në Kosovë".
Kjo ngjarje do të shënojë përmbylljen e projektit katërvjeçar i cili ka përkrahur Agjencinë e Regjistrimit Civil në krijimin e sistemit të adresave të unifikuara në Kosovë.
Projekti ka përkrahur Agjencinë e Regjistrimit Civil në krijimin e sistemit të ri për regjistrimin e gjendjes civile dhe ka ndihmuar në realizimin e reformave të nevojshme ligjore, teknike dhe organizative në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Projekti ka mundësuar gjenerimin e të dhënave të besueshme dhe cilësore për gjendjen civile, gjë që shërben si themel për të gjitha llojet e shërbimeve publike, siç janë aplikacionet për prodhimin e letërnjofimeve, pasaportave dhe patentëshoferëve.
Gjatë kësaj ngjarjeje do të prezantohen arritjet më të mëdha të projektit dhe të institucioneve të Kosovës.
Ngjarja do të hapet nga z. Christof Stock, Shef i seksionit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencisë për Regjistrimin Civil dhe Agencisë Kadastrale të Kosovës.