BE-ja ndihmon Policinë Kufitare të Kosovës
Prishtinë, 24 nëntor - Më 24 nëntor, zyrtarisht është shënuar përmbyllja e projektit të binjakëzimit të financuar nga BE-ja Përforcimi i Sundimit të Ligjit Policia Kufitare.
Ky ishte projekti i parë i binjakëzimit në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë. Kontrolli kufitar i Kosovës, pas implementimit të këtij projekti 18 mujor, është në gjendje të kryej punë të standardeve evropiane, në harmoni me Kodin Kufitar të Shengenit.
Melvin Asin, Zëvendësdrejtor i Operacioneve në Zyrën ndërlidhëse të KE-së, tha: Projekti ka vendosur standarde për kontrollin kufitar në Kosovë. Në raportin e Progresit të Kosovës 2010 është theksuar se Kosova ka bërë disa përparime sa i përket menaxhimit të kufijve.
Tani për Kosovën si sfidë do të jetë mbajtja e këtyre standardeve dhe përmirësimi i atyre që janë arritur deri më sot \".
Projekti gjithashtu është përqendruar në sigurimin e zbatimit të Menaxhimit të Integruar të Kufijve përgjatë tërë vijës kufitare të Kosovës, përmirësimin e strukturës së Shërbimit Policor të Kosovës, si dhe legjislacionit përkatës.
Ky projekt ishte i rëndësishëm për aktivitetet policore dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të Policisë Kufitare në veçanti. Janë rritur mundësitë për ndërprerjen dhe konfiskimin e mallrave të kontrabanduara dhe për parandalimin e kalimeve ilegale të kufirit.
Kjo kryesisht është rezultat i trajnimeve të mbajtura për 800 oficerë të policisë dhe një numri të oficerëve të Doganave të Kosovës gjatë punës së tyre të përditshme.
Të dhënat statistikore tregojnë se gjatë periudhës janar-shtator 2010, Policia Kufitare e Kosovës në krahasim me periudhën e njëjtë në vitin e kaluar ka shënuar rritje të performancës në fushat kyçe si për shembull, sekuestrimet e narkotikëve janë rritur nga 5 kg në 128 kg dhe sekuestrimet e duhanit janë rritur për 60%.
Ky Projekt Binjakizimi ka punuar edhe në 27 udhëzime administrative në lidhje me Menaxhimin e Integruar të Kufirit, Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Policinë, ku 24 prej tyre janë në fuqi.
Një e arritur tjetër e projektit të binjakëzimit ishte përpilimi i doracakut të Menaxhimit të Integruar të Kufirit për oficerët e vijës së parë. Në këtë doracak janë të dhëna standardet për Kontrollin Kufitar dhe tani është në harmoni të plotë me praktikat më të mira evropiane.
Ky projekt është pjesë e një programi më të madh të BE-së që edhe përmes përmirësimit të infrastrukturës së teknologjisë informative dhe furnizimit të policisë së Kosovë me pajisje përkrah arritjen e standardeve të BE-së në Kufijtë e Kosovës.