24 Dhjetor 2024

BE e sheh sundimin e ligjit si fushë kyçe për reforma në Kosovë

Prishtinë, 22 korrik - Është mbajtur sot takimi i radhës i Bordit Bashkërendues për Sundimin e Ligjit që drejtohet nga zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë,  Hajredin Kuçi, Xavier de Marnhac, Shef i EULEX-it dhe Kjartan Björnsson, shef i Operacioneve dhe u.d i shefit të Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Kosovë.

Në hapje të takimit Kuçi ka thënë se gjatë këtij gjysmë viti kemi arritur që të bashkërendojmë një sërë aktivitetesh midis Qeverisë së Kosovës, EULEX -it dhe Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian të cilat kanë sjellë rezultate konkrete në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar  dhe përshpejtimin e obligimeve tona lidhur me procesin e integrimeve  evropiane.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi me këtë rast ka falënderuar përfaqësuesit e EULEX-it dhe të KE për bashkëpunimin e mirë dhe korrekt.

“Qeveria e Republikës së Kosovës  ka përcaktuar perspektivën evropiane si prioritet për vitin 2011 . Strategjia legjislative u ka dhënë prioritet projektligjeve që dalin nga Raporti i progresit.

Besoj se bashkëpunimi i Qeverisë së Kosovës, EULEX -it dhe Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian do të thellohet edhe më shumë dhe rezultatet nuk do të mungojnë”, theksoi z. Kuçi.

Shef i EULEX-it, Xavier de Marnhac, vlerësoi bashkëpunimi e deri tashëm në fushën e sundimit të ligjit. “ E kuptoj rëndësinë e Raportit të Progresit për planet ambicioze të Kosovës për të reformuar legjislacionin dhe institucionet”, theksoi Xavier Bout de Marnhac duke  shprehur bindjen se shumë nga ato do të përmbushen para Raportit të ardhshëm të Progresit.

“Dua të ju përuroj për punën e madhe të bërë deri më tani në implementimin e prioriteteve të caktuara nga Bordi Bashkërendues për Sundimin e Ligjit “, pohoi de Marnhac.

Edhe Kjartan Björnsson, u.d i shefit të Zyrës Ndërlidhëse të KE-së në Kosovë ka përgëzuar  Qeverinë e Kosovës për hapat e ndërmarrë që prej takimit të fundit të Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit.

“BE-ja e sheh sundimin e ligjit si fushë kyçe për reforma në Kosovë dhe inkurajoj Qeverinë që të ndërmarrë çdo përpjekje të nevojshme për tu ballafaquar me sfidat e identifikuara në Raportin e fundit të Progresit. Megjithatë, do të doja të theksoja se Raporti i Progresit nuk duhet të jetë pretekst për nxitimin e proceseve ose ligjeve në mënyrë artificiale\", theksoi z. Björnsson.

Në vazhdim Bordi Bashkërendues për Sundimin e Ligjit është njoftuar për projekt Kodin Penal të Kosovës,  Bordin e Pavarur të Ankesave , Agjencionin e Regjistrimit Civil , Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Po ashtu Bordi është njoftuar për emërimin e koordinatorit nacional për të Drejtat Pronësore.

Bordi në takimin e sotëm ka diskutuar për Ligjin Anti-Mafi/ Konfiskimi i Aseteve dhe është njoftuar mbi Marrëveshjen për Ndihmë Reciproke Juridike. 

Takimi i radhës i Bordit Bashkërendues për Sundimin e Ligjit do të mbahet me 15 shator 2011. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)