Batelli njoftoi Jahjagen për proesin e anëtarësimit te Kosovës në OSBE
Prishtinë, 3 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim Përfaqësuesin Special të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore z. Roberto Batelli, i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori Andreas Nothel dhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean-Claude Schlumberge.
Presidentja Jahjaga dhe zotëri Batelli biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, prioritetet e institucioneve të vendit në fushën e sundimit të ligjit dhe rendit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ndërtimin e shoqërisë gjithëpërfshirëse.
Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës që prej pavarësimit të saj ka luajtur një rol të rëndësishëm si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe një promovuese e fqinjësisë së mirë, të cilën e ka dëshmuar edhe me angazhimin në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Ajo tha se marrëveshjet që janë arritur duhet të zbatohen në tërësi dhe se rruga evropiane e Serbisë duhet të kushtëzohet me zbatimin e tyre.
Presidentja Jahajga e vlerësoi rolin që ka luajtur OSBE-ja në të gjitha proceset neper të cilat ka kaluar Kosova prej pasluftës e deri më sot.
Ajo theksoi se suksesi i Kosovës është sukses i përbashkët i angazhimit dhe përkushtimit të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare. Ajo tha se Kosova po bën përpjekje për tu bërë anëtare e të gjitha organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe OSBE-në.
Përfaqësuesi special i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore z. Roberto Batelli vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe e përgëzoi Presidenten Jahjaga për qasjen proaktive dhe përkushtimin që ka treguar në respektimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut dhe të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Ai e njoftoi Presidenten Jahjaga për angazhimet që po bëhen për anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.