Bashkojnë forcat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve
Donjetë Kelmendi, drejtoreshë ekzekutive e KOMF, ka thënë se bashkëpunimi me Kuvendin e Kosovës ka nisur qysh në legjislaturën e kaluar, duke theksuar bashkëpunimet në disa pjesë në disa ligje, pastaj vizitat e ndryshme në terren si dhe monitorimin e ligjeve të caktuara. Qëllimi i bashkëpunimit ndërmjet KOMF dhe këtyre dy komisioneve parlamentare, është sepse pikërisht këto dy komisione prekin shumë çështjen e të drejtave të fëmijëve, prandaj ky takim le të jetë një pikënisje për krijimin e bashkëpunimit në procesin e hartimit, plotësim-ndryshimit dhe monitorimit të ligjeve, ka thënë Kelmendi.
Anëtarja e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, deputetja Mexhide Topalli, ka thënë se ideja dhe nisma e ndërmarrë nga KOMF për një bashkëpunim të tillë, ofron një vizion të përbashkët për të ecur përpara në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëvë në Kosovë.
Ashtu sikur KOMF ka bashkuar forcat për të arritur qëllimin, edhe Qeveria e Kosovës ka një mision, atë të përmbushjes dhe implementimit të standardeve ndërkombëtare në mbrojtjen e fëmijëve, krijimin e normave dhe zbatimin e tyre, si dhe te punohet në interes të fëmijëve dhe zëri i tyre të jetë i dëgjueshëm, ka thënë zonja Topalli.
Ndërsa, anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, deputetja Besa Baftiu, tha se qysh në vitin 2012 ka filluar të hartohet një projekt-ligj për fëmijët, por që qeverisë së Kosovës i duhen vite për ta finalizuar atë.
Vullneti i të gjithëve është ti dalë në mbrojtje fëmijëve dhe të drejtave të tyre nëpërmjet iniciativave të ndryshme, mirëpo kur vjen puna tek Kosto, është pikërisht Qeveria e Kosovës, ajo që heziton ta marrë hapin e duhur për krijimin e ligjit, pavarësisht asaj që bëhet fjalë për një kategori kaq të ndjeshme siç është ajo e fëmijëve. Ligjet nuk zbatohen në praktikë fare, sepse ne nuk mund ta bëjmë harmonizimin e ligjit me BE-në, kur e dimë se në çfarë gjendje jetojnë fëmijët në Kosovë, ka thënë zonja Baftiu.
Në diskutimin e hapur në lidhje me çështjen e mbrojtjes dhe të drejtave të fëmijëve, ka folur edhe sekretari i KOMF, zotëri Gani Lluka, i cili ka thënë se bashkëpunimi i ndërsjellë dhe i mirëfilltë në mes të instancave më të larta të shtetit dhe shoqërisë civile, është i domosdoshëm.
Ne kemi kërkuar krijimin e një granti specifik në kuadër të niveleve komunale, nëpërmjet të cilit grant do të ofroheshin shërbime speciale, për ata fëmijë që kanë nevojë dhe mund të përfitojnë nga ky grant. Unë i bëjë thirrje si institucioneve poashtu edhe organizatave që punojnë në mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtave të tyre, që të bëjnë përpjekje, e posaçërisht kërkojë nga ju deputetët që krijimi i këtij granti ta ketë mbështetjen tuaj në Kuvend, në realizimin e drejtë të kërkesave të fëmijëve, ka thënë Lluka.
Diskutimi vazhdoi edhe me konstatime dhe deklarata të anëtarëve të Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve si dhe pjesëmarrësve tjerë të ftuar, të cilët ranë dakord në bashkëpunim të mëtutjeshëm për krijimin e një plani të përbashkët mes komisioneve parlamentare dhe KOMF, ku si konkluzion u arritën këto pika të përbashkëta, për të cilat do te punohet dhe adresohen në vazhdimësi: Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, adresimi i Grantit Specifik për shërbime sociale në kuadër të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, si dhe vizitat e përbashkëta në terren tek fëmijët e cenueshëm gjatë monitorimit të legjislacionit në fuqi. Si rezultat i tyre, u dakordua të organizohen dëgjime publike nga deputetet për adresimin e çështjeve dhe prioriteteve të mbrojtjes së fëmijëve.