Bashkëpunimi i Ministrisë së Drejtësisë me UNDP-në vazhdon me projekte
Prishtinë, 20 janar - Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka pritur sot në takim përfaqësuesin e UNDP-së në Kosovë, Andrew Russell, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen që i është dhënë Ministrisë së Drejtësisë në projektet e përbashkëta që kanë sjellë rezultate konkrete në fushën sundimit të ligjit në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, është diskutuar për hapat e ardhshëm në implementimin e Strategjisë për Asistencë në Fushën e Sundimit të Ligjit, hartimin e të cilës e ka përkrahur UNDP, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit të donatorëve në mënyrë që të arrihen rezultate edhe më të theksuara në fushën e drejtësisë.
Në veçanti, Ministri Kuçi ka theksuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në reformën e provimit të jurisprudencës, si parakusht që bartësit e drejtësisëgjykatësit, prokurorët dhe avokatëttë jenë të përgatitur që ti shërbejnë qytetarëve dhe tia ngritin atyre besimin në drejtësi.
Ministri Kuçi ka shpalosur planin e Ministrisë së Drejtësisë për ta bërë një rishikim të sektorit të drejtësisë. Prezantimi i një pasqyre objektive të sektorit të drejtësisë do të shërbejë si parakusht për hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për vitet në vijim, që do të kontribuojë në ngritjen e efikasitetit dhe llogaridhënies të sistemit gjyqësor.
Në anën tjetër, Russell ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen në realizimin e projekteve të cilat konsiderohen me përparësi për Ministrinë e Drejtësisë.