Barrikadat në veri mbajnë situatën të tensionuar
Mitrovicë, 5 dhjetor - Në takimin e sotëm të Komitetit për vlerësimin e sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës u tha se barrikadat vazhdojnë të mbeten problem dhe të pengojnë jetën normale në veri të vendit.
Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se situata e sigurisë vazhdon të jetë e tensionuar, meqë rrugët mbeten të bllokuara nga barrikadat.
Kjo situatë ka rënduar së tepërmi gjendjen e qytetarëve, sidomos të atyre joserbë, të cilët kanë probleme të mëdha për lëvizje dhe për furnizim me gjëra elementare.
Ai ka dënuar sulmet që kanë ngjarë kundër trupave të KFOR-it nga grupet serbe në veri. Tha se ky fakt dëshmon për seriozitetin e situatës, meqë grupet ekstremiste serbe nuk janë duke kursyer askë për ta penguar normalizimin e gjendjes.
Ai tha se pret që situata të relaksohet pas arritjes së marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë tërhoqi vërejtjen se serbët mund të bëjnë obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur.
Situatën e ka përshkruar të tensionuar edhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala. Ai tha se ka pasur një numër incidentesh, të cilat kanë shqetësuar banorët.
Në lagjet me popullatë të përzier gjatë orëve të natës ka shpesh të shtëna me armë zjarri që shqetësojnë popullatën.
Ai ka përmendur një rast që ka ndodhur gjatë vikendit, kur banorët e Kroit të Vitakut janë ankuar për të shtëna armësh në drejtim të tyre nga lokalitet e banuara me serbë.
Këto incidente janë duke ndikuar në ndjenjën e sigurisë së banorëve, të cilët megjithatë janë duke u treguar të përgjegjshëm.
Drejtori Bala foli edhe për shpërndarjen e afisheve nga UNMIK-u në Kroin e Vitakut, ku kërkohet leje për rindërtimin e shtëpive atje.
Ai tha se kjo administratë përkundër rolit të kufizuar që ka është duke provokuar situatën, në vend që ta bëj të kundërtën.
Ndërsa Zenel Gjinovci, shef i operativës në stacionin jugor të policisë, tha se përkundër tensioneve në veri, në zonën e tyre të përgjegjësisë situata është e qetë.
Kemi marrë të gjitha masat dhe jemi duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet që në jug mos të ketë reflektim të situatës në veri.
Në këtë takim, u potencua edhe nevoja e masave për të parandaluar me kohë problemet me mjetet piroteknike, të cilat përdoren me të madhe gjatë festave të fundvitit.
Zyrtarët e komunës dhe ata të policisë u dakorduan që bashkërisht të punojnë në këtë drejtim.