Barrikadat në veri ende në rrugë
Prishtinë, 17 tetor - Sot ka skaduar dita e fundit e afatit të dhënë nga KFOR për largiminin e barikadave të vendosura nga serbët në veri të Kosovës, por, deri më tash situata në veri mbetet e pandryshueshme.
Ndërkaq disa qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veriun e Kosovës, protestuan një ditë më parë në afërsi të komunës së Zubin Potokut, në kundërshtim të thirrjeve për mënjanimin e barrikadave në atë zonë..
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se situata e sigurisë është e qetë, por sipas tij në disa bllokada rrugore ka qytetarë serbë të cilët po qëndrojnë pranë barrikadave.
Barrikadat vazhdojnë të qëndrojë në rrugë. I vetmi ndryshim është që pranë këtyre barrikadave, në veçanti në këtë barrikadën në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe në barrikadën në fshatin Zupq të komunës së Zubin Potokut, janë tubuar qindra persona të të gjitha kategorive, përfshirë këtu edhe fëmijë e gra të moshave të ndryshme, tha Hoti.
Policia e Kosovës, tha Hoti, nuk është e njoftuar se kur dhe në çfarë mënyre KFOR-i do të nisë largimin e barrikadave.