Banorët në lagjen Kroi i Vitakut kërkojnë siguri
Mitrovicë, 11 nëntor - Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it nuk e kanë vlerësuar të nevojshëm shtimin e forcave në veri pas incidentit të së mërkurës mbrëma të shkaktuar mes grupeve etnike shqiptare dhe atyre serbe në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës, ku për pasojë një serb ka vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur.
Banorët e Kroit të Vitakut, nuk kanë ndier siguri për ti vazhduar punimet në rindërtimin e shtëpive të tyre. Të pasigurt janë ndier edhe banorët e lagjeve të tjera veriore të Mitrovicës.
Frikën se mund të sulmohen nga grupe rebelësh serbë, ata e kanë shfaqur hapur.
Ata kanë rikujtuar se gjatë gjithë viteve të pasluftës kanë qenë të provokuar dhe kanë jetuar në presion të vazhdueshëm, por se tani kanë nevojë për një siguri më të madhe.
Nga ta, është vlerësuar se policia duhet të jetë e pranishme në veri përgjatë 24 orëve, e jo vetëm të patrullojë kohë pas kohe.