Banorët e Vushtrrisë evakuohen për shkak të vërshimeve
Vushtrri, 12 Janar - Banorët e një pjese të Komunës së Vushtrrisë janë evakuuar, pasi lumi Sitnica ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar vërshime, njoftoi kreu i kësaj komune, Xhafer Tahiri.
Tahiri tha se gjendja “është e rënduar” dhe se në evakuimin e banorëve ka ndihmuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
“Shkolla fillore 'Naim Frashëri' në qytet është duke u bërë gati për strehim për qytetarët që kanë nevojë”, tha Tahiri.
Ndërkaq, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka thënë se situata meteorologjike pritet të stabilizohet në ditët në vijim.