Bamieh ka akuzuar italianët për aferën e korrupsionit në EULEX
Prishtinë, 11 shkurt - Prokurorja britanike, Maria Bamieh, ka akuzuar italianët se kanë provuar të mbyllin hetimet për korrupsion kundër ish-kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesco Florit.
Gjatë raportimit para Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian për aferën e korrupsionit në EULEX, ka thënë se ekziston një linjë italiane në Bruksel që ka shtrirje në EULEX, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas saj edhe vetë kreu i EULEX-it, Gabriele Meucci, erdhi me mision në Kosovë për ti mbyllur këto hetime.
Bamieh ka akuzuar zyrtarë të EULEX-it se fonde të shumta dedikuar luftimit të krimit në nivel të lartë i kanë bërë rrush e kumbulla.
Kam arsye bindëse dhe të fuqishme për ti mëshuar fort bindjes sime se kreu i misionit, zoti Meucci, erdhi në mision në tetor të vitit 2014 me mandatin për të mbyllur hetimin e Floritit dhe bashkë me këta zyrtarë në Bruksel u pajtuan të raportonin në media në Prishtinë se unë po vuaja për shkak se u dogja dhe për rrjedhojë kisha humbur terezinë, dhe se nuk do të duhej të merresha si një ndërlidhëse a dëshmitare e besueshme, u ka thënë ajo eurodeputetëve, anëtarë të komisionit që kryesohet nga Richard Howitt, dhe pjesë e të cilit është edhe raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek.
Bamieh ka raportuar para këtij komisioni nga fundi i muajit janar të këtij viti, disa muaj pas zbulimit të aferës së korrupsionit në EULEX nga Koha Ditore.
Dyshohet se ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesco Florit, ka marrë ryshfet për të mbyllur raste të mëdha të krimit dhe korrupsionit. Dyshohet se të përfshirë në mbylljen e rasteve janë edhe kryeprokurorja e EULEX-it, Jaroslava Novotna, dhe zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Jonathan Ratel. Ratel dyshohet se ka penguar hetimet kundër deputetit Azem Syla.
/Koha Ditore/