Bajrush Xhemajlit i vërtetohet dënimi


Prishtinë, 29 shtator - Një kolegj penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit, ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, P.nr.2277/2013, të datës 13.03.2014, ndaj të pandehurit B. Xhemajli, sipas të cilit ky i fundit ishte dënuar me dy vjet burgim si fajtor për veprën panele rrezikim i trafikut publik nga neni 297 i Kodi Penal të Kosovës, njofton Zyra për Informim e Gjykatës së Apelit.
Në këtë mënyrë kolegji në fjalë ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e ushtruara nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbrojtja dhe pala e dëmtuar.
Gjykata e Apelit vlerëson se pretendimet e prokurorit dhe të dëmtuarave për një dënim më të ashpër dhe ato të mbrojtësit të pandehurit për dënim më të butë nuk qëndrojnë.
Gjykata e Apelit konstaton se matja e dënimit të shqiptuar ndaj të pandehurit nga gjykata e shkallës së parë, është bërë në pajtim me rregullat e përgjithshme për matje të dënimit konform nenit 64 të KPK-së , dhe se dënimi i shqiptuar duke pasur parasysh shkallën e përgjegjësisë penale, pasojat e veprës penale (vdekjen e një personi dhe lëndimin e disa tjerëve ), është në përpjesëtim më rrezikshmërinë shoqërore të veprës se kryer.