Bajrush Xhemajli në ndeshje tjetër komunikacioni
Prishtinë, 5 mars - Ish-kryetari i Ferizajt, që tash pret të shkojë në rigjykim për aksidentin i cili katër vjet më herët kishte shkaktuar vdekjen e një të riu, ishte i përfshirë në një ndeshje tjetër komunikacioni të martën në Prishtinë.
Rreth orës 16 e 30, të martën, afër ndërtesës së Prokurorisë së Shtetit, vetura në të cilën ndodhej ish-kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemaili, është përfshirë në një ndeshje komunikacioni.
Menjëherë pas incidentit, Xhemajli është larguar nga vendi i ngjarjes.
Fillimisht Xhemaili, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, mohoi të ketë qenë në veturë.
Mirëpo, pasi ai është njoftuar se Gazeta Jeta në Kosovë ka qenë në vendin e ngjarjes në momentin e ndeshjes dhe ai është fotografuar duke u larguar nga vendi i ngjarjes, ai pranoi se ishte në veturë.
Po kam qenë, por jam larguar menjëherë pas ndeshjes për shkak se nuk desha të krijohen probleme, tha Xhemajli për Gazetën Jeta në Kosovë. I thash shoferit tim, kqyr mos bën probleme, pasi ata filluan të fjalosen me palën tjetër.
Vetura e tipit Renault, ngjyrë e bardhë, është pronë e Partisë Demokratike të Kosovës dhe vozitej nga Behar Sekiraqa. Vetura ka pësuar dëmtime të vogla.
Xhemajli ka treguar se ai sapo kishte dalë nga zyrat e partisë dhe ishte duke shkuar në shtëpi me vozitësin, pasi, tha ai, vetë nuk kam vozitur qe katër vjet.
Katër vjet më parë, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, ish-kryetari i komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, akuzohet se kishte shkaktuar një aksident në të cilin kishte humbur jetën Labinot Rrustemi.
Aksidenti në fjalë ishte hetuar nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë e cila pas hetimeve të kryera në vitin 2009, kishte ngritur aktakuzë me të cilën e akuzonte atëherë kreun e Ferizajt për veprën penale të rrezikimit të trafikut publik.
Provat e dala nga analiza e ekspertit Yll Koshi kishin nxjerrë në pah se shkaktari i këtij aksidenti ishte vetura të cilën e drejtonte Bajrush Xhemajli e cila nuk i ishte përshtatur kushteve dhe shpejtësisë së rrugës.
Xhemajli i cili edhe vet ishte lënduar në këtë aksident, gjatë gjykimit vendosi të mbrohej në heshtje, përderisa në fund të procesit trupi gjykues i drejtuar nga gjykatësja Tomka Berisha e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me 2 vite e 6 muaj burgim.
Këtë muaj, gjykata kushtetuese e vendit ka urdhëruar rigjykimin e tij.