Azilkërkuesit kosovarë do të kthehen nga Gjermania
Prishtinë, 13 shkurt - Ministri i Punëve të Brendshme, Skender u takua me ministren për Çështje Evropiane dhe Marrëdhënie Rajonale të Bavarisë, Beate Merk.
Ministri Hyseni dhe ministrja Merk, biseduan për proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova, ndërsa temë kryesore e takimit ishte çështja e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës dhe trajtimi i azilkërkuesve në Landin e Bavarisë.
Ministrja Beate Merk njoftoi se në landin e Bavarisë është shtuar numri i qytetarëve të Kosovës që po kërkojnë azil dhe se në këtë land janë bërë ndryshime në legjislacionin e Bavarisë, ku përfshihet edhe ndalimi i përkrahjes financiare për faktin se kërkesat për azil të kosovarëve do të procedohen brenda dy javësh.
Gjatë takimit, po ashtu u bë e ditur se azilkërkuesit kosovarë do të kthehen pasi që Kosova është një vend i sigurt dhe se kosovarëve nuk iu takon e drejta për azil.
Ministri Hyseni theksoi se Qeveria e Kosovës është e shqetësuar për numrin e madh të qytetarëve të Republikës së Kosovës që kërkojnë azil nëpër vende të ndryshe të BE-së.
“Liberalizimi i shpejtë i vizave është në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat po përballen me fluks të madh të migrimit të kosovarëve. Ky proces duhet të përshpejtohet pasi Kosova nuk duhet të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkan”, theksoi ministri Hyseni.
Në këtë takim të dy bashkëbiseduesit u zotuan se do të ndihmohet në tejkalimin e kësaj situate dhe do të shikohen mundësitë që në të ardhëm të ketë punësim sezonal, trajnim dhe aftësim profesional të qytetarëve të Kosovës në Landin e Bavarisë.