Azem Syla mbetet në paraburgim
Prishtinë, 13 maj - Gjykata e Apelit ka vendosur që Azem Syla dhe të arrestuarit tjerë të grupit të tij të vazhdojnë të mbeten në paraburgim.
Këtë e ka konfirmuar edhe Gjykata e Apelit, e cila përmes një komunikate, e cila ka bërë të ditur se Syla me shtatë të tjerë të dyshuar do të mbesin në paraburgim për një muaj, transmeton gazeta Kosova Sot Online.
Më 6 maj 2016, Kolegji i përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një gjyqtar vendor të Gjykatës së Apelit, ka nxjerrë aktvendimin me numër PN1 711/16 në lidhje me të pandehurit H.B., S.H., A.M., A.S., I.S., N.U., A.V. dhe L.V.
Aktvendimi është bazuar në ankesat e ushtruara nga të pandehurit kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore të Prishtinës, përmes të cilave, të pandehurve u ishte caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej një muaji, thuhet në njoftim.
Gjykata e Apelit i ka refuzuar ankesat si të pabazuara dhe ka vërtetuar aktvendimet e kundërshtuara të Gjykatës Themelore të Prishtinës