Avokati i Popullit shqetësohet me jetën dhe sigurinë e pronës në vend
Prishtinë, 30 maj - Avokati i Popullit, Sami Kurteshi shpreh shqetësimin e tij pas rasteve të shtuara të vrasjeve, veçmas në Regjionin e Dukagjinit, si dhe ngjarjeve të njëpasnjëshme të kërcënimeve dhe djegies së shtëpive të pjesëtarëve të komunitetit serb në Komunën e Klinës si dhe djegies së disa lokaleve të një pronari rom dhe dy pronarëve shqiptarë në Komunën e Gjakovës.
Këto raste sipas tij konfirmojnë faktin se siguria e jetës dhe e pronës mbetet segment i brishtë në Kosovë.
Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë vizituar tri komunat që kohëve të fundit kanë qenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik Pejë, Gjakovë dhe Klinë.
Ata kanë takuar zyrtarët komunal, përfaqësuesit e autoriteteve kompetente të sigurisë edhe qytetarët me të cilët kanë biseduar lidhur me shqetësimet që ata kanë.
"Vrasjet, dhuna, dëmtimi i pronës dhe kërcënimet si mënyrë e zgjidhjes së konflikteve konfirmojnë edhe njëherë se sistemi i drejtësisë dhe i sigurisë në vend po tregohet i pafuqishëm në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarit", thuhet në reagimin e Kurteshit.
Angazhimi më efikas i organeve për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë në identifikimin e kryerësve të veprave kriminale dhe vënia e tyre para organeve të drejtësisë, është veprim i domosdoshëm, jo vetëm për të zbardhur rastet që kanë ndodhur, por edhe për të parandaluar aktet e tilla dhe për të ndikuar në sigurinë e përgjithshme në vend. Sulmet dhe kërcënimet, në mënyrë të veçantë ato në baza etnike janë të papranueshme.
Avokati i Popullit, fton për angazhim dhe përkushtim shumë më të madh dhe më të vendosur të autoriteteve kompetente për sigurimin e jetës, pronës dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe çdo personi në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Kjo do të garantonte respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si parakusht për fuqizimin e demokracisë në shoqërinë tonë.