Avokati i Popullit, ka hapur mbi 20 raste Ex Officio
Pohimet e gazetarëve përmes mediave të shkruara, mass-mediave apo portaleve elektronike, për shkelje të të drejtave të njeriut, në kundërshtim me garancitë kushetuese dhe ligjore, apo me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare, të cilat zbatohen drejtpërdrejtë në vendin tonë, trajtohen me shumë vëmendje dhe janë burim jashtëzakonisht i rëndësishëm informacioni për Avokatin e Popullit.
Vetëm nga janari i këtij viti, Avokati i Popullit, mbështetur në informatat e pranuara nga mediat, ka hapur mbi 20 raste Ex Officio, një pjesë prej të cilave tashmë janë mbyllur dhe për to janë nxjerrë raporte që u janë drejtuar autoriteteve përkatëse, përderisa raste të tjera janë zgjidhur, në një mënyrë a tjetrën , në pajtim me kërkesën e palës. Pjesa tjetër e rasteve janë në proces hetimi dhe trajtimi.
Hapja e rasteve që ngritin çështje të të drejtave dhe lirive të njeriut, duke u bazuar në raportet a kronikat mediale, si burim primar informacioni, e rithekson edhe njëherë rëndësinë që kanë mediat për të sensibilizuar institucionet dhe opinionin e gjerë lidhur me çështje të ndjeshme dhe në interes të mirëqenies dhe dinjitetit qytetarë. Po ashtu, e vë në pah partneritetin e natyrshëm ndërmjet institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut, çfarë është Institucioni i Avokatit të Popullit dhe mediave, si zëdhënëse të interesit publik.